Mickoski mohon planin për zgjedhje të parakohshme, por lë hapur mundësinë për çdo skenar

featured
Press Online
22 Qershor 2026, 13:18

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi sot se është për zgjedhje të rregullta parlamentare, pasi, sipas tij, vendit i nevojitet stabilitet politik. Megjithatë, ai theksoi se nëse shumica parlamentare vendos për zgjedhje të parakohshme, ai nuk do të jetë kundër.

“Për këtë duhet të vendosë shumica në Kuvend. Nëse 61 deputetë votojnë që të ketë zgjedhje të parakohshme, unë nuk do të jem kundër”, tha Gashi në një brifing me gazetarë, përcjell PressOnline.al

Në opinion janë shtuar zërat dhe spekulimet se Qeveria po përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këto spekulime u forcuan sidomos pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili në disa raste ka thënë se Qeveria nuk ka plan për zgjedhje të parakohshme, por është e gatshme nëse “sfidohet” nga opozita.

“Ne nuk kemi një plan të tillë”, deklaroi Mickoski, duke sqaruar se do të ishte e papërgjegjshme që në qershor apo korrik të bëhet riformatimi i Qeverisë, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm vendi të ketë një qeveri teknike.

Megjithatë, kryeministri nuk e ka mbyllur plotësisht mundësinë për zgjedhje, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme. Ai i ka përshkruar mesazhet e opozitës si një “dorezë të hedhur” dhe ka theksuar se VMRO-DPMNE duhet të jetë gjithmonë e gatshme të përgjigjet.

Sa i përket rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë, Mickoski sot vlerësoi se bisedimet e para brenda koalicionit janë zhvilluar në një atmosferë konstruktive. Ai tha se takimet do të vazhdojnë gjatë kësaj jave dhe pret që procesi të përfundojë gjatë fundjavës.

“Në bisedimet e para mbizotëron një atmosferë konstruktive. Gjatë kësaj jave do të kemi sërish takime, pres që ato të jenë përfundimtare, ndërsa gjatë fundjavës të formalizohet gjithçka me emra dhe specifika të tjera”, deklaroi Mickoski, përcjell PressOnline.al

Ai shtoi se gjatë bisedimeve është diskutuar edhe mundësia për ndryshim të resorëve.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se sapo ta marrë propozimin për rikonstruimin e Qeverisë, do të thërrasë seancë parlamentare.

“Nëse e marrim deri më 1 korrik, ai menjëherë do të hyjë në procedurë dhe do të caktojmë seancën në afatin më të shkurtër të mundshëm”, tha Gashi.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter