Haxhiu: Mostrat për rinumërim nuk janë zgjedhur në mënyrë rastësore

featured
Press Online
22 Qershor 2026, 17:40

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka shprehur dyshime lidhur me procesin e rinumërimit të votave të urdhëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke thënë se mostrat për rinumërim nuk janë përzgjedhur në mënyrë të rastësore.

Haxhiu deklaroi se fillimisht nuk kishte planifikuar të ankohej, por se rezultatet e rinumërimit e kanë shtyrë të ndryshojë qëndrim.

“Pas rinumërimit që ka urdhëruar KQZ-ja, në bazë të Ligjit për Zgjedhjet, ky proces nuk ka prodhuar të njëjtin rezultat si ai i qendrave të numërimit. Rezultati ka ndryshuar te rreth 90 kandidatë të PDK-së. Disa kandidatëve u janë shtuar vota, ndërsa disa të tjerëve u janë hequr”, tha Haxhiu.

Ai theksoi se edhe vetë ka përfituar pesë vota shtesë pas rinumërimit, megjithëse, sipas tij, janë numëruar mbi 5 mijë vota të PDK-së.

Sipas Haxhiut, ndonëse KQZ-ja ka vendosur të rinumërojë 7.41 për qind të kutive të votimit, përqindja reale e votave të verifikuara për subjektet politike është dukshëm më e ulët.

“Për të gjitha partitë politike, mostra e votave të rinumëruara nuk e kalon 4 për qind. Kjo nënkupton se ka parregullsi edhe brenda KQZ-së, pasi janë përzgjedhur për rinumërim kryesisht kuti të vogla votimi”, deklaroi ai.

Haxhiu përmendi si shembuj vendvotimet në Vllahi, Selaq dhe Marec, ku sipas tij numri i votuesve ka qenë shumë i vogël, duke ngritur dyshime se përzgjedhja nuk ka qenë rastësore.

Ai shtoi se te Lëvizja Vetëvendosje janë verifikuar rreth 3.2 për qind e votave, te PDK-ja 3.52 për qind dhe te AAK-ja 4.1 për qind.

“Në 185 vendvotime janë evidentuar ndryshime në rezultatet e kandidatëve. Disa kandidatë kanë fituar vota, ndërsa disa të tjerë kanë humbur, ndonëse në numra minimalë”, tha Haxhiu.

Sipas tij, nëse ky trend vazhdon, diferenca e votave mund të projektohet nga 180 deri në 320 vota, ndërsa ai aktualisht ndodhet rreth 120 vota larg kandidatit me të cilin po garon.

“Detyra e KQZ-së nuk është të tolerojë gabime minimale, as e PZAP-së. Detyra e tyre është që rezultati zgjedhor të jetë i saktë. Askush nuk ka të drejtë t’ia japë votën e qytetarit dikujt tjetër. Ligji dhe Kushtetuta e përcaktojnë qartë këtë dhe nuk ka vend për tolerim”, përfundoi Haxhiu.

 

https://www.youtube.com/watch?v=AKgtjg8DR1Y

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter