Qeveria reagon për heqjen e flamurit izraelit: Akt i turpshëm, bie ndesh me traditën shqiptare të mikpritjes

featured
Press Online
21 Qershor 2026, 17:03

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar ashpër heqjen e flamurit të ambasadës së Izraelit në Tiranë gjatë protestës së të shtunës.

Në një reagim zyrtar, ministria vëren se akte të tilla nuk lidhen me lirinë e shprehjes, por përbëjnë shfaqje të urrejtjes dhe intolerancës.

Lexo edhe :

Related Posts

Ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin, vlera që kanë karakterizuar shoqërinë tonë për breza me radhë. Ato nuk përfaqësojnë as shqipërinë, as popullin shqiptar”, thuhet në reagimin zyrtar.

Gjithashtu, Ministria e Jashtme shpreh solidaritet me ambasadën e Izraelit, duke theksuar se dhuna dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe zv.kryeministrja Albana Koçiu. Në një postim në rrjetin social, Koçiu shkruan se ky është “një akt i papranueshëm provokimi, që cenon normat themelore të respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me frymën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”

Ndër të tjera, Koçiu shkruan: “Ky nuk është thjesht një sulm ndaj një simboli shtetëror. Çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike.

Shqipëria është një vend mikpritës, një partner i besueshëm, pa asnjë tolerancë ndaj antisemitizmit apo gjuhës së urrejtjes. Ky akt i turpshëm dhe i izoluar bie ndesh me traditën tonë të gjatë të harmonisë, respektit dhe mbrojtjes së tjetrit, parime këto që kanë karakterizuar popullin shqiptar përgjatë historisë.

Shprehim solidaritetin tonë të plotë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe rikonfirmojmë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe promovimin e vlerave europiane të tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës”.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter