Sot në të gjithë Kosovën do të mbahet afati i parë i Testit të Maturës Shtetërore 2026, në të cilin pritet të marrin pjesë 19,514 maturantë në 152 qendra testimi.
Sipas Ministrisë së Arsimit, procesi do të administrohet nga 1,360 administrues, ndërsa 750 kryetarë dhe anëtarë komisionesh do të angazhohen për mbarëvajtjen e testimit.
Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 12:30. Maturantët janë obliguar të paraqiten në qendrat e testimit jo më vonë se ora 09:00, për të përfunduar procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat ku do të zhvillohet testi.
Ministria ka bërë të ditur se Testi i Maturës Shtetërore do të organizohet brenda një dite të vetme për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët. Testi përmban gjithsej 100 pyetje, të ndara në katër lëndë: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë maturanti.
Autoritetet kanë rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë apo i çfarëdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është i ndaluar rreptësisht. Çdo kandidat që kapet me telefon ose pajisje elektronike do të përjashtohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo.
Ministria e Arsimit ka njoftuar se të gjitha përgatitjet teknike dhe organizative janë përfunduar me kohë, ndërsa administruesit dhe komisionet janë trajnuar dhe pajisur me udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e procesit.







