Aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të “Pastrimit” dhe një koordinatori për punësime të paligjshme

featured
Press Online
19 Qershor 2026, 16:25

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj B.K., ish-kryeshef ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, dhe N.Rr., koordinator në këtë kompani, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit.

Sipas Prokurorisë, B.K. gjatë viteve 2020-2021 ka nënshkruar 89 kontrata pune në kundërshtim me procedurat ligjore, pa shpallur konkurs publik dhe duke bërë avancime të parregullta të punonjësve.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K., gjatë viteve 2020 dhe 2021 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, dhe në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘’KRM Pastrimi’’, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit. I njëjti ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përkatësisht 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike gjatë viteve 2020 dhe 2021, ndërkohë personat e punësuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune”.

Si pasojë, dyshohet se ndërmarrjes i është shkaktuar dëm prej 114 mijë e 535 eurosh.

Ndërkaq, N.Rr. dyshohet se në mars të vitit 2021 ka kërkuar dhe marrë 1,500 euro nga disa persona, duke u premtuar punësim përmes ndikimit të tij te kryeshefi ekzekutiv i kompanisë.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter