Parlamenti Evropian drejton kritika të ashpra për gjendjen demokratike dhe ngecjen reformuese në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar për dobësi serioze në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Në raportin më të ri për progresin, i cili pritet të miratohet pasditen e sotme (17.06.2026), eurodeputetët konstatojnë se, pavarësisht disa hapave pozitiv, agjenda reformuese ka mbetur dukshëm prapa, ndërsa ndërhyrja politike, dobësia institucionale dhe mungesa e vullnetit politik e minojnë besimin në sistem. Shqetësim të veçantë shkaktojnë ndryshimet në Kodin Penal, të cilat, sipas raportit, krijojnë perceptim të mosndëshkimit për korrupsionin e lartë, si dhe dështimi i vazhdueshëm për të arritur aktgjykime dënuese në raste të tilla, shkruan DW, përcjell PressOnline.al.
Përveç kësaj, raporti alarmon për përpjekje të koordinuara për manipulimin e diskursit publik dhe përhapjen e narrativave anti-evropiane, përfshirë edhe përmes ndikimit të huaj në hapësirën mediatike. Eurodeputetët paralajmërojnë se procese të tilla e polarizojnë opinionin, e dobësojnë kredibilitetin institucional dhe e vënë në pikëpyetje kursin evropian të shtetit. Në të njëjtin kontekst, vërehen edhe ndikime gjeopolitike në rritje nga vende të treta, gjë që e ndërlikon edhe më shumë panoramën reformuese dhe të sigurisë.
Kritika ka edhe në pjesën e të drejtave të njeriut, për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara dhe komunitetin LGBTIQ+, si dhe për përparimin e pamjaftueshëm në mbrojtjen e mjedisit jetësor, veçanërisht në luftën kundër ndotjes së ajrit. Parlamenti Evropian konkludon se pa reforma thelbësore dhe përkushtim të qartë politik, përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian do të mbetet i kufizuar.
Të njëjtën gjë e thekson edhe raportuesi Thomas Waitz në të ashtuquajturën deklaratë shpjeguese të Raportit.
“Pavarësisht disa hapave pozitivë reformues, përparimi në agjendën reformuese të lidhur me BE-në – veçanërisht në fushat kyçe si sundimi i ligjit, reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit – është i pamjaftueshëm. Kjo vjen si pasojë e fushatës zgjedhore, kapaciteteve të kufizuara në administratën publike dhe mungesës së përkushtimit të vazhdueshëm politik”, shkruan Waitz.

Në vazhdim, këto janë vërejtjet kryesore në Raportin e Parlamentit Evropian, të përkthyera dhe pa ndërhyrje gazetareske:
- Parlamenti Evropian shpreh shqetësim se sistemi gjyqësor, pavarësia e gjykatave dhe prokurorisë, si dhe përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe kornizave për luftën kundër korrupsionit nuk kanë përparuar mjaftueshëm. U bën thirrje aktorëve politikë që urgjentisht të përmbahen nga ndërhyrja politike në gjyqësor. Vëren me shqetësim dobësi të thella strukturore dhe trende negative në funksionimin e gjyqësorit, përfshirë financimin dhe personelin e pamjaftueshëm të institucioneve gjyqësore, gjë që e minon pavarësinë e tij. Prandaj, i bën thirrje Maqedonisë së Veriut ta përshpejtojë zbatimin e Strategjisë për reformën në drejtësi 2024-2028.
- E thekson rëndësinë e mbrojtjes së integritetit dhe pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë edhe përmes forcimit të Këshillit Gjyqësor në përputhje me rekomandimet dhe mendimin nga misioni i rishikimit kolegial të Komisionit të Venecias nga viti 2023.
- Shpreh shqetësim se ndryshimet në Kodin Penal në Maqedoninë e Veriut, me të cilat janë shkurtuar afatet e parashkrimit dhe janë ulur dënimet për korrupsion të nivelit të lartë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, i kanë minuar procedurat gjyqësore në vazhdim, përfshirë edhe rastet e profilit të lartë, duke krijuar perceptim të mosndëshkimit për aktorë të shquar politikë dhe duke e dobësuar edhe më tej besimin e publikut në gjyqësor.
- Konstaton me shqetësim se nuk është arritur përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe se ai mbetet i përhapur në shumë fusha. Thekson se ekziston një hendek i konsiderueshëm dhe i pashpjegueshëm mes hetimeve të shpallura formalisht për korrupsion dhe konstatimeve gjyqësore të fajësisë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. I bën thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ta përmirësojë zbatimin e Strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit dhe të miratojë Kod të ri Penal në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Më tej, bën thirrje për forcimin e mbrojtjes së sinjalizuesve, e cila mbetet e dobët dhe i dekurajon personat që të raportojnë korrupsion. Megjithatë, e përshëndet pjesëmarrjen aktive të Maqedonisë së Veriut në Marrëveshjen Ndërkombëtare për shkëmbimin e të dhënave për verifikimin e deklaratave të pasurisë, duke e pozicionuar vendin si pikë referente rajonale në këtë mekanizëm.

- E lavdëron harmonizimin e fortë dhe afatgjatë të Maqedonisë së Veriut me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të BE-së, përfshirë edhe në lidhje me masat kufizuese. Megjithatë, shpreh keqardhje për rritjen e abstenimeve gjatë votimeve të rëndësishme në organet ndërkombëtare, në vend që të ndiqet qëndrimi i shumicës së BE-së. Prandaj, i bën thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që, në raste dileme, të harmonizohet me qëndrimin e shumicës në BE.
Ndotje e lartë – pak përparim
- Shpreh keqardhje që është arritur pak përparim në legjislacionin për mjedisin jetësor. Bën thirrje, veçanërisht, për masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ujit, si dhe menaxhimin e ujërave të zeza, përfshirë edhe përmes rritjes dhe përcaktimit të qartë të financimit nacional për infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit në zonat urbane dhe rurale, integrimin e sistemeve të ujësjellësve ruralë në ndërmarrjet publike komunale aty ku është e realizueshme, me kompetenca institucionale të shpërndara qartë, kontrolle të rregullta sanitare dhe laboratorike me publikim publik të rezultateve dhe mbikëqyrje të përforcuar inspektuese, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve për sisteme të parregulluara, të mirëmbajtura dobët ose ndotëse.
- Konstaton me shqetësim nivele vazhdimisht të larta të ndotjes së ajrit, veçanërisht në mjediset urbane, të cilat janë fuqishëm të lidhura me djegien e qymyrit dhe prodhimin e çimentos. Në këtë kontekst, shpreh shqetësim serioz për Ligjin e ri për kontrollin e emetimeve industriale dhe u bën thirrje autoriteteve ta ndryshojnë atë përmes një procedure publike transparente dhe gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve relevantë, veçanërisht ekspertëve të mjedisit jetësor dhe organizatave të shoqërisë civile. Thekson nevojën urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit në qytete, përfshirë edhe përmes masave si vendosja e zonave me emetime të ulëta dhe furnizimi me automjete moderne, më pak ndotëse, për transportin publik.
Mediat nën vëzhgim
- Shpreh shqetësim për marrjen strategjike të televizioneve kyçe dhe portaleve informative nga aktorë mediatikë hungarezë, gjë që mundëson që narrativat anti-evropiane të depërtojnë në debatin publik në Maqedoninë e Veriut.
- Shpreh shqetësim serioz për përpjekjet e vazhdueshme për ta shtrembëruar debatin publik dhe për ta minuar besimin në institucionet demokratike dhe rrugën evropiane të vendit përmes manipulimit të koordinuar të mjedisit informativ, përfshirë edhe operacione të fshehta ndikimi dhe narrativa dashakeqe. I bën thirrje BE-së dhe vendeve anëtare të saj të bëjnë përpjekje shtesë për ta mbështetur Maqedoninë e Veriut në luftën kundër ndërhyrjes së dëmshme të huaj në vend, përfshirë edhe përmes ndihmës teknike.
Mbrojtja e personave LGBTIQ
- Konstaton me shqetësim se pothuajse nuk është arritur përparim në uljen e pengesave me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në shumicën e aspekteve të jetës. Inkurajon përpjekje më të mëdha për kompletimin e kornizës ligjore dhe institucionale për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe për përmirësimin e zbatimit dhe aplikimit të saj. Vëren sfida të vazhdueshme strukturore në punën e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në Maqedoninë e Veriut për shkak të mungesës së resurseve.
- Nënvizon se duhet të përmirësohet mbrojtja ligjore e të drejtave të personave LGBTIQ+ dhe të adresohet gjuha e urrejtjes kundër komunitetit, përfshirë edhe në internet. Shpreh shqetësim të thellë për eskalimin e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+ dhe organizatave të shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut.
Shqetësim për lidhjet me Serbinë
- Konstaton me shqetësim lidhje gjithnjë e më të forta mes Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë, e cila zbaton një agjendë joliberale. Përveç kësaj, paralajmëron për ndikimin në rritje ekonomik dhe politik të Kinës në rajon, veçanërisht përmes projekteve infrastrukturore dhe kredidhënies. Me të njëjtin shqetësim vëren raportime për përpjekjet ruse për projektim ndikimi në Maqedoninë e Veriut. I bën thirrje BE-së ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në forcimin e rezistencës ndaj ndikimit të jashtëm që realizohet përmes rrjeteve fetare. Shpreh shqetësim për narrativat që promovohen në rajon dhe që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve, përfshirë edhe të ashtuquajturën “bota serbe”.
- Përkujton nevojën për hapjen e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave, UDBA dhe KOS, të cilat ruhen edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi. Thekson nevojën që këto arkiva të hapen në nivel rajonal për t’u përballur me të kaluarën totalitare në mënyrë transparente, me qëllim forcimin e demokracisë, përgjegjësisë dhe institucioneve në Ballkanin Perëndimor.
Instrumentalizimi i kontesteve bilaterale
Sa i përket kontestit me Bullgarinë dhe fillimit të negociatave me BE-në, Raporti përmban më shumë thirrje që ndryshimet kushtetuese të votohen pa vonesë, por paralelisht edhe thirrje që kontestet bilaterale të mos përdoren për bllokimin e rrugës evropiane të vendit:
- Përkujton se kontestet bilaterale mes shteteve duhet të zgjidhen përmes dialogut të hapur, me përfshirjen e shoqërisë civile dhe ekspertëve, si dhe përmes bashkëpunimit të vërtetë, në mirëbesim dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe se ato nuk duhet të instrumentalizohen në procesin e anëtarësimit.
Thekson se identiteti gjuhësor, kulturor dhe kombëtar është bazë autentike e çdo shteti dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga palë të treta. Përveç kësaj, vëren se çështje të tilla nuk duhet të ndikojnë në procesin e anëtarësimit në BE, i cili fokusohet në zbatimin e së drejtës së BE-së dhe harmonizimin me vlerat dhe parimet e BE-së të përcaktuara në kriteret e Kopenhagës dhe parimet e marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe i cili duhet të udhëhiqet nga kritere objektive dhe të bazohet ekskluzivisht në merita. E refuzon fuqishëm retorikën etnonacionaliste, përfshirë edhe atë nga aktorë politikë, e cila nxit ndarje dhe i minon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe marrëdhëniet mes grupeve etnike dhe komuniteteve. I bën thirrje BE-së t’i përforcojë përpjekjet për kufizimin e një retorike të tillë dhe ndikimit të saj. (PressOnline.al)


