Tragjedi në New York, 12-vjeçari humb jetën pasi u mbyt me një petull, dyshohet se mori pjesë në sfidë virale në TikTok

featured
Press Online
13 Qershor 2026, 16:35

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin në qytetin e Yonkers, pranë Nju Jorkut, ku 12-vjeçari Jacob Medina humbi jetën pasi u mbyt gjatë orarit shkollor. Autoritetet po hetojnë nëse incidenti lidhet me një sfidë të rrezikshme që qarkullon në TikTok, e njohur si “One-Bite Challenge”.

Sipas informacioneve paraprake, nxënësi i klasës së gjashtë dyshohet se po përpiqej të gëlltiste një donut me vetëm një kafshatë, si pjesë e sfidës virale. Video të ngjashme në rrjetet sociale tregojnë përdorues që përpiqen të hanë ushqime të mëdha, si hot dogë, burrito apo ëmbëlsira, me një kafshatë të vetme.

Ngjarja ndodhi në katin e katërt të ndërtesës së shkollës. Djali filloi të kishte vështirësi serioze në frymëmarrje, ndërsa një punonjës i shkollës ishte i pari që e gjeti dhe u përpoq t’i jepte ndihmën e parë. Brenda pak sekondash, në vendngjarje mbërritën edhe persona të tjerë për të ndihmuar.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit dhe më pas të ekipeve mjekësore, 12-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, ku ndërroi jetë pak pas mbërritjes. Mjekët nuk arritën ta shpëtonin, ndërsa vdekja e tij ka shkaktuar pikëllim të madh në komunitetin shkollor.

Policia e Yonkers ka nisur një hetim të gjerë për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes. Shefi i policisë, Christopher Sapienza, deklaroi se do të shqyrtohen të gjitha provat, përfshirë mundësinë që incidenti të jetë lidhur me një sfidë të TikTok-ut.

@madisonelise Donut #donuts ♬ Paper Planes – M.I.A.

Ndërkohë, përfaqësues të familjes kanë kërkuar analizimin e plotë të pamjeve nga kamerat e sigurisë së shkollës për të kuptuar saktësisht se çfarë ndodhi para se i mituri të humbiste ndjenjat. Autoritetet nuk kanë publikuar ende shkakun zyrtar të vdekjes, ndërsa hetimet vazhdojnë.

/vizionplus.tv

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter