SHBA përshkallëzon presionin ndaj Iranit, Trump: Do t’i shkatërrojmë nëse nuk pajtohen me ne nesër

featured
Press Online
11 Qershor 2026, 10:03

Shtetet e Bashkuara kanë vijuar sulmet ushtarake ndaj objektivave iraniane për të dytën ditë radhazi, në një përshkallëzim të ri të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit. Operacionet janë konfirmuar nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila tha se ato janë kryer në përgjigje të “agresionit të vazhdueshëm dhe të paprovokuar” të Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmet e fundit janë pjesë e një strategjie më të gjerë dhe la të hapur mundësinë e veprimeve të reja ushtarake. “Mundësitë për sulme të mëtejshme në tokën iraniane mbeten të hapura”, tha ai, duke theksuar se situata do të varet nga sjellja e Teheranit në orët dhe ditët në vijim.

Trump gjithashtu pretendoi se Irani ka kërkuar ndaljen e bombardimeve, por paralajmëroi një qëndrim të ashpër në rast se nuk arrihet marrëveshje. “Iranianët më kanë kërkuar të ndaloj bombardimet, ne do të ndalemi së shpejti. Ne do t’i shkatërrojmë nëse nuk pajtohen me ne nesër”, u shpreh ai në një deklaratë për Fox News.

Në të njëjtën kohë, Irani ka reaguar duke mohuar versionin amerikan të komunikimeve mes palëve dhe duke paralajmëruar kundërpërgjigje. Teherani pretendon se ka goditur objektiva amerikane në rajon dhe ka ngritur akuza se SHBA po përdor “pretekste për të shmangur një luftë në shkallë të plotë”.

CENTCOM, nga ana e tij, ka bërë të ditur se sulmet amerikane kanë synuar sisteme të mbikëqyrjes, komunikimit dhe mbrojtjes ajrore në disa zona të Iranit, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe pa sinjale për ulje të menjëhershme të përplasjes.

/vizionplus.tv

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter