Asnjë shoqatë civile turke nuk mori para nga buxheti – kërkohet që KSHPK të përcaktojë sipas cilit parim Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive i ka ndarë mjetet

featured
Press Online
11 Qershor 2026, 12:32

Fakti që asnjë organizatë civile turke këtë vit nuk mori mbështetje nga buxheti në vlerë prej 17 milionë denarësh, të dedikuar për shoqata dhe fondacione nga Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ka shkaktuar zhgënjim të madh dhe shqetësim të arsyeshëm te komuniteti turk.

Nga Partia për Lëvizjen e Turqve theksojnë se ndër 36 projektet që morën mbështetje financiare nuk ka asnjë projekt të orientuar drejt komunitetit turk. Kjo hap pyetje serioze lidhur me parimet e përfaqësimit të barabartë dhe qasjes së barabartë në fondet publike. Duke pasur parasysh karakterin multietnik dhe multikulturor të shtetit, përjashtimi i plotë i komunitetit turk është i papranueshëm, përcjell PressOnline.al.

“Misioni themelor i Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive është të avancojë dialogun, bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet të gjitha bashkësive etnike në shtet. Megjithatë, praktikat e viteve të fundit lënë përshtypjen se nevojat dhe kërkesat e komunitetit turk nuk trajtohen me vëmendjen e duhur. Një qasje e tillë cenon parimin e barazisë dhe minon besimin në institucione”, thuhet nga partia.

“Presim që Ministria ta informojë publikun në mënyrë transparente për kriteret dhe procedurën sipas të cilave është bërë përzgjedhja dhe shpërndarja e mjeteve. Qasja e barabartë në burimet publike për të gjitha bashkësitë përbën një parim themelor të qeverisjes demokratike.Njëkohësisht, konsiderojmë se të gjithë individët dhe institucionet që kanë përgjegjësi për të përfaqësuar interesat e komunitetit turk nuk guxojnë të mbeten të heshtur përballë rasteve të tilla. Nevojitet veprim i përbashkët dhe i përgjegjshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave legjitime të komunitetit”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata u bëjnë thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit dhe të gjitha institucioneve relevante që urgjentisht të rishqyrtojnë vendimet dhe veprimet e Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe të përcaktojnë nëse gjatë shpërndarjes së mjeteve janë respektuar parimet e ligjshmërisë, barazisë dhe mosdiskriminimit. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter