Rama-protestuesve: Nuk do e bëjmë Shqipërinë si legjenda e “Rozafës”, nëse e keni seriozisht me mjedisin, bujrum dëgjoni argumentet

featured
Press Online
09 Qershor 2026, 00:52

Kryeministri Edi Rama, duke folur nga “Kalaja e Rozafës” në Shkodër, në kuadër të 35-vjetorit të PS, u bëri thirrje qytetarëve që protestojnë se, nëse duan vërtet të informohen për projektin dhe mjedisin, duhet të ulen e të bisedojnë.

Ai tha se qeveria dhe Partia Socialiste nuk do ta bëjnë Shqipërinë si legjenda e “Rozafës”, duke e ndërtuar ditën dhe duke e shkatërruar natën, por do ta çojnë vendin aty ku i takon, në Bashkimin Evropian.

“Patjetër që ka arsye për të protestuar, por më shumë ka arsye për të punuar; patjetër që ka arsye për të protestuar, por më tepër ka arsye për t’u bashkuar. Se dera që na është hapur që qytetarët të jenë të barabartë nuk mund ta lejojmë ta mbyllë asnjë shqiptar.

Atë që kemi ndërtuar gjithë këto vite, nuk mund ta lëmë si Kalaja e Rozafës. Ata që e kanë seriozisht për Zvërnecin dhe mjedisin, u them: bujrum, dëgjoni argumentet. Bujrum të ndajmë bashkë faktet. Nuk mund të thoni ‘po punohet projekti’, kur projekti është duke u punuar. Projektin nuk e punojnë blogerët dhe të tjerë; projektin po e punon një grup i madh njerëzish.

Projekti nuk vjen në Shqipëri as për të na shkatërruar, as për të na lënë fytyrën. Ai grup investitorësh mund të investonte kudo tjetër. E humbëm një herë kur na iku investitori nga Durrësi në Tivat, dhe ne sot duam ta “gjuajmë” Malin e Zi.

Nëse duam të flasim për projektin, hajde të flasim, por duhet durim derisa të vijë projekti. Si do të flasësh kështu në hava? Shqipëria ka sot 27 miliardë PBB dhe ne do t’i themi nuk i duam 4 miliardë euro?

Po kur thonë disa “nuk i duam”, po nëse s’të duhet ty, i duhet popullit shqiptar. Ashtu siç u desh stadiumi; dolën e protestuan te ajo që quhej Stadiumi Kombëtar, dhe kur u bë stadiumi dhe u zhvillua finalja e Conference League, vinin me kapele që të mos njiheshin.

Nuk ka asnjë kundërshti të madhe që ndalon Partinë Socialiste”, tha Rama.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter