Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se ndërtimi i shkollave dhe objekteve arsimore përfaqëson një projekt me rëndësi thelbësore për zhvillimin e vendit dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Sipas tij, investimet në arsim janë të drejtuara kryesisht drejt fëmijëve, të cilët, siç theksoi ai, janë përfituesit kryesorë të këtyre projekteve, përcjell PressOnline.al.
Ai shtoi se Qeveria po punon në realizimin e sa më shumë projekteve të këtij lloji, me qëllim përmirësimin e kushteve në arsimin fillor dhe krijimin e një sistemi më cilësor edukimi. Mickoski vlerësoi se këto investime janë një vlerë e shtuar për qytetarët dhe një kontribut i drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit.
Në vazhdim deklarata e plotë e Kryeministrit Mickoski e dhënë me rastin e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e pjesës shtesë të shkollës fillore "Dimitar Berovski" në lagjen Hrom të komunës së Gjorçe Petrovit:
Mirëdita edhe nga unë. Përsëri me kënaqësi të madhe, me kënaqësinë më të madhe, ndodhem këtu në Komunën e Gjorçe Petrovit. Sërish në fillimin e një projekti që është me rëndësi thelbësore dhe që ka për qëllim të ndihmojë praktikisht më të vegjlit tanë, fëmijët, në procesin e fitimit të arsimit të tyre, në arsimin fillor.
Do të doja që të mund të fillonim sa më shumë objekte të tilla, si rezultat i të cilave të kemi sa më shumë fëmijë që së pari do të lindnin, e më pas do të arrinin në këtë fazë të arsimimit të tyre.
Uroj kryetarin e komunës, Këshillin komunal, administratën, deputetin që vjen nga Komuna e Gjorçe Petrovit, falënderoj Ministrinë e Arsimit, kolegët nga Qeveria, që gjatë gjithë kësaj periudhe kemi punuar për të nisur diçka të re, për të korrigjuar diçka nga e kaluara që ka qenë e gabuar dhe për të mos krijuar paqartësi e probleme të reja.
Dhe vlerësoj se projekte të tilla janë vetëm një vlerë e shtuar për cilësinë e jetës së qytetarëve, para së gjithash të fëmijëve, sepse të gjitha këto po i bëjmë për ta. Që t'ua lëmë atyre. Janë pikërisht ata që do ta trashëgojnë të gjithë këtë që ne po ndërtojmë dhe krijojmë.
Le të ndërtohet ky objekt, që të mund të gëzohemi të gjithë së bashku për atë që po bëjmë dhe po krijojmë.
Prandaj, qoftë me fat dhe u shtofshin edhe më shumë projekte të tilla.






