“Qeveria e Mickoskit njoftoi “10 miliardë euro për projekte infrastrukturore në 10 vitet e ardhshme”. Kjo nuk është një strategji zhvillimi. Ky është një kurth i ri borxhi për qytetarët”, thonë nga partia maqedonase në opozitë, LSDM.
Sipas tyre, Mickoski i ka shtuar tashmë mbi 2.3 miliardë euro borxh të ri publik Maqedonisë në pak më shumë se dy vjet.
“Nëse realizohen edhe disa nga këto njoftime, borxhi do të kalojë 12-13 miliardë euro, thjesht borxh të ri. Kjo do të thotë norma më të larta interesi, huamarrje më të shtrenjta dhe më pak para për paga, pensione dhe shërbime publike. Për më tepër, njoftimi parashikon vetëm 57 kilometra autostradë në 10 vjet – ose 5.7 kilometra në vit”.
“Kjo është jashtëzakonisht e pamjaftueshme për rritje serioze ekonomike dhe lidhje më të mirë të vendit. Edhe më alarmante është mungesa e burimeve të qarta të financimit. Fondet e BE-së janë bllokuar për shkak të mungesës së reformave, buxheti është bosh dhe investimet e huaja kanë rënë me 60 përqind. E vetmja mundësi e mbetur është huamarrja e re – që do të thotë një barrë edhe më e madhe për qytetarët”.
“Në vend që të përqendrohet në zhvillimin e vërtetë duke vazhduar rrugën evropiane, duke përmirësuar klimën e biznesit, qeveria po prodhon njoftime propagandistike pa mbështetje financiare dhe institucionale. Rezultati do të jetë borxh publik edhe më i madh, rritje ekonomike më e dobët dhe, në planin afatgjatë, një standard jetese më i ulët për qytetarët”, thonë nga LSDM.






