Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se rënia e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 7 qershorit është mesazh i qartë për partitë politike dhe një formë proteste qytetare.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka deklaruar se qytetarët kanë ndëshkuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas saj ka rënë nga 51 për qind në 43 për qind, por edhe partitë opozitare që nuk kanë arritur rritje të madhe elektorale.
Ajo ka theksuar se mosdalja në votime është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie, duke shtuar se partitë duhet të punojnë më seriozisht dhe të ofrojnë më shumë zgjidhje për qytetarët.
Bajrami ka thënë gjithashtu se rezultatet tregojnë nevojën për reflektim të thellë brenda LDK-së për t’u rikthyer më e fortë në skenën politike.
“Pa asnjë dyshim, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori, përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit. Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje”, ka shkruar ajo.
Sipas të dhënave nga numërimi i mbi 20 për qind të votave, ajo renditet ndër katër deputetët më të votuar të LDK-së, ndërsa partia ka shënuar rritje rreth katër për qind krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit.






