Deri në mesditën e së dielës, gjithçka kishte shkuar me rregull në qendrën e votimit në shkollën në Jabllanicë të Prizrenit.
Por, rreth orës 15:00, një komisioner i LDK-së, e bëri një veprim të çuditshëm për çka u arrestua veç dy orë më vonë.
Komisioneri me inicialet A.D, nga lista i shqeu hiç më pak se gjashtë fletëvotime, dhe i fshehu.
Kryetari i komisionit, me inicialet M.V, përfaqësues i PDK-së, refuzoi ta raportonte. Por kështu nuk vepruan edhe anëtarët tjerë që e panë me sy.
Andaj, policia e arrestoi në orën 17:30, dhe e ndaloi për 48 orë.
Gjatë kësaj kohe, prokuroria dorëzoi kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit. Por, pas seancës që u zhvillua të martën ne mëngjes, gjykata vendosi ta lë veç në arrest shtëpiak.
“Sipas gjykatësit, i njëjti nuk paraqet rrezik që të largohet, dhe edhe me këtë masë të sigurisë, mund te zhvillohet procesi gjyqësor në vazhdim”., ka thënë zëdhënësi i prokurorisë, Marsel Lekaj.
Dukagjini e ka siguruar kërkesën e prokurorisë, në të cilën në detaje shpjegohen veprimet e tanimë të pandehurit, që dyshohet për kryerjen e veprës penale asgjësim i materialit të votimit.
“I pandehuri A.D i merr dhe i fsheh gjashtë fletëvotime të zbrazëta duke bërë shqyerjen e fletëvotimeve nga blloku i fletëvotimeve, të cilat pastaj i fsheh”.
Megjithëse nuk ka bërë kërkesë për caktim të masës së sigurisë, Prokuroria është duke e hetuar edhe anëtarin e PDK-së, që ishte kryetar i komisionit, për faktin që ka refuzuar ta raportojë rastin.
“I pandehuri M.V edhe përkundër faktit se dëshmitarët të cilët kanë qenë anëtarë të këtij komisioni reagojnë dhe kërkojnë të lajmërohet KQZ-ja dhe Policia, nuk i lajmëron, me çka pajtohet me veprimet e të pandehurit A.D”.
Vepra e asgjësimit të materialit të votimit, sipas Kodit Penal, dënohet deri në tre vjet burgim.
https://www.youtube.com/watch?v=ORVoSwV3Gko






