Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e përshëndet non-pejperin të iniciuar nga kancelari gjerman Fridrih Merc dhe presidenti francez Emanuel Makron në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, por thekson se vlerësimet përfundimtare mund të bëhen vetëm pasi të ketë një dokument zyrtar.
“Vlerësimi im është se kur të shohim “pejper” atëherë do të mund të them se për çfarë bëhet fjalë, sepse “non-pejperi” do të thotë diçka pa titull, pa emër, pa firma, me ide. Edhe pse ky lloj dokumenti gjithmonë, ose shumë shpesh, i ka paraprirë dokumenteve të vërteta. Nëse hapi vlerësohet, atëherë e përshëndet”, deklaroi Siljanovska-Davkova në një intervistë për emisionin “360 gradë” në RTVM 1.
Sipas saj, rajoni me vite po përballet me një ngecje në integrimin evropian, që ka kontribuar në qëndrimin e paqartë të Bashkimit Evropian, dhe e theksoi nevojën për parashikueshmëri më të madhe në këtë proces.
Lidhur me përfitimet e mundshme për vendin, Siljanovska-Davkova theksoi se disa nga masat e propozuara janë tashmë të njohura dhe se zbatimi i tyre mund të kontribuojë në evropianizimin gradual dhe integrimin më të ngushtë, por paralajmëroi se ato nuk duhet të bëhen zëvendësim për anëtarësimin e plotfuqishëm.
E pyetur lidhur me atë se një nga vërejtjet është se nuk ka as një datë të përkohshme për integrimin gradual, ajo theksoi nevojën për afate të qarta kohore për procesin gradual të integrimit, sipas shembullit të Malit të Zi, por vlerësoi se ato duhet të përcaktohen individualisht për secilin vend.
Në kontekstin e integrimit evropian të Maqedonisë, Siljanovska-Davkova theksoi se sfida mbetet me hapjen faktike të klastereve, por shtoi se ekzistojnë mekanizma të mundshëm për kapërcimin e bllokimeve që nuk lidhen me kriteret e Kopenhagës.






