KQZ synon certifikimin e rezultateve deri më 6 korrik, nis numërimi i votave për deputetë në 38 komuna

featured
Press Online
08 Qershor 2026, 17:21

Zëdhënisi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka bërë të ditur se procesi i numërimit dhe verifikimit të rezultateve pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ka hyrë në fazën e radhës, me synimin që rezultatet përfundimtare të certifikohen deri më 6 korrik.

Pas përfundimit të votimit në 2,498 vendvotime të rregullta, materialet zgjedhore nga 949 qendra votimi janë transportuar në 38 Qendra Komunale të Numërimit (QKN), ku do të zhvillohet numërimi i votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike. Në këtë proces do të angazhohen mbi 2,200 anëtarë të 508 ekipeve të numërimit, të përbëra nga përfaqësues të subjekteve politike.

KQZ ka njoftuar se të dhënat nga numërimi do të publikohen në mënyrë progresive në platformën e rezultateve, vendvotim pas vendvotimi. Procesi ka nisur tashmë në 15 komuna, ndërsa gjatë pasdites së së hënës është zgjeruar edhe në 23 komuna të tjera të vendit.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të zhvillohen procedurat për votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora. Sipas të dhënave preliminare, në 38 komunat e Kosovës janë evidentuar 8,751 votues të regjistruar për votim me kusht, ndërsa 3,144 votues kanë qenë të regjistruar në programin për persona me nevoja të veçanta.

Sa i përket votimit jashtë Kosovës, nga 27,724 qytetarë të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësi diplomatike, kanë votuar 22,414 persona, që përfaqëson një dalje prej 80.85 për qind. Ndërkaq, për votimin me postë janë regjistruar 104,480 votues, ndërsa deri të hënën pasdite nga 20 kuti postare në vende të ndryshme të Evropës janë tërhequr 84,832 pako të supozuara me fletëvotime.

Para nisjes së numërimit të këtyre votave, KQZ do të kryejë skanimin e listave të votuesve për të identifikuar rastet e mundshme të votimit të dyfishtë, si dhe do të verifikojë vlefshmërinë e dërgesave postare. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave do të fillojë numërimi i votave me kusht, i votave të personave me nevoja të veçanta dhe i votave nga diaspora.

Sipas afateve të parashikuara nga KQZ, të gjitha këto procese pritet të përmbyllen gjatë javëve në vijim, në mënyrë që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të certifikohen deri më 6 korrik.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter