Radoniqi: Deri në orën 11:00 kanë votuar 8.29 për qind e qytetarëve, procesi po zhvillohet pa probleme

featured
Press Online
07 Qershor 2026, 11:58

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa incidente të raportuara.

Në një konferencë për media, Radoniqi njoftoi se deri në orën 11:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 162 mijë e 439 qytetarë, që përbën 8.29 për qind të trupit votues.

Ai theksoi se për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, KQZ ka aktivizuar dhomën operative, ku janë të përfshirë zyrtarë të KQZ-së, përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe KEDS-it. Sipas tij, kjo qendër po monitoron zhvillimet në terren gjatë gjithë ditës, duke mundësuar koordinim institucional, shkëmbim informacioni dhe trajtim të çdo raportimi apo problemi të mundshëm në përputhje me kompetencat ligjore të secilit institucion.

Radoniqi bëri edhe një krahasim me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, kur deri në të njëjtën kohë, sipas të dhënave nga rreth 94 për qind e vendvotimeve, kishin votuar 165 mijë e 404 qytetarë, apo 8.27 për qind e votuesve të regjistruar.

KQZ ka njoftuar se konferenca e radhës për media do të mbahet në orën 15:30, ku do të publikohen të dhënat e përditësuara për pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00, si dhe informacione të tjera mbi ecurinë e procesit zgjedhor.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter