Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, Callum Turner, kanë kurorëzuar dashurinë me një festë përrallore në Siçili, e cila sipas raportimeve ka kushtuar rreth 1.5 milionë funte, ose afërsisht 1.8 milionë euro.
Çifti organizoi ceremoninë luksoze në Villa Valguarnera, pranë Palermos, vetëm disa ditë pasi kishte zyrtarizuar martesën në Londër.

Rreth 200 të ftuar morën pjesë në festimet madhështore, të cilat vazhduan deri në orët e para të mëngjesit dhe u mbyllën me një spektakël mbresëlënës fishekzjarresh që ndriçoi qiellin mbi vilën historike.
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte performanca speciale e legjendës së muzikës Elton John, i cili interpretoi hitin e tij të pavdekshëm “Your Song” për çiftin dhe mysafirët e tyre.
Ndërkohë, vëmendje të madhe tërhoqi edhe paraqitja e nuses. Dy fustanet e bardha të veshura nga Dua gjatë ceremonisë dhe festës së mëvonshme u krijuan posaçërisht nga stilistja e njohur Donatella Versace.
Dasma kishte edhe një prekje të fortë shqiptare. Sipas burimeve, gjatë mbrëmjes nuk munguan muzika dhe vallet tradicionale shqiptare, të cilat krijuan emocione të veçanta për familjen e këngëtares. Prindërit e saj, Dukagjin Lipa dhe Anesa Lipa, u panë duke vallëzuar dhe duartrokitur me entuziazëm gjatë performancave.

Për të garantuar privatësinë e të ftuarve VIP, organizatorët kishin vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie. Kontrollet për stafin dhe mysafirët ishin të rrepta, ndërsa çdo detaj i eventit u mbajt larg syrit të publikut.

Pas natës së paharrueshme që zgjati deri në orën 06:00 të mëngjesit, Dua dhe Callum u panë të dielën duke shijuar momente të qeta në tarracën e hotelit ku po qëndrojnë, të rrethuar nga familjarët dhe miqtë e tyre më të afërt.
Dasma e tyre tashmë po cilësohet si një nga ngjarjet më luksoze dhe më të komentuara të showbiz-it ndërkombëtar këtë vit.





