Rubio thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është aktualisht në agjendën e shteteve anëtare

featured
Press Online
04 Qershor 2026, 01:53

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO aktualisht nuk është në agjendën e shteteve anëtare të aleancës.

Deklarata u bë gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan, ku kongresisti Keith Self i bëri thirrje Rubios që të mbështesë integrimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar rajonin e Ballkanit si “shumë të brishtë”.

Rubio sqaroi se kjo nuk nënkupton që anëtarësimi nuk do të ndodhë në të ardhmen, por tha se në bisedimet e fundit me aleatët e NATO-s, zgjerimi nuk ka qenë në qendër të diskutimeve, për shkak të çështjeve të tjera globale.

“Ajo që kam vënë re është se tani për tani, në përgjithësi, NATO është aq e përqendruar në disa çështje të tjera që janë ngritur këtu sot, saqë zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, nuk është në plan të parë të agjendës së disa prej këtyre shteteve”, ka thënë Rubio.

Ndërkohë, kongresisti Keith Self theksoi se integrimi i Kosovës në NATO është thelbësor për stabilitetin në rajon.

Ai tha se disa shtete anëtare të NATO-s po e bllokojnë procesin e anëtarësimit dhe përmendi tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, ku kjo e fundit nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter