Qytetari gjen telefonin dhe portofolin e humbur, i dorëzon në Polici

featured
Press Online
04 Qershor 2026, 11:28

Një qytetar nga Mitrovica e Veriut ka dorëzuar në Polici një telefon mobil dhe një portofol të humbur, duke mundësuar kthimin e tyre tek pronarja.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 3 qershor një qytetare kishte raportuar humbjen e telefonit dhe portofolit në rrugën “Kolashini” në Mitrovicë të Veriut.

“Me datë 03.06.2026, ankuesja ka raportuar në polici se derisa kishte qenë në rrugën ‘Kolashini’ në Mitrovicë të Veriut, i kishin humbur telefoni mobil dhe portofoli, në të cilin kishte pasur edhe një shumë të hollash”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia bën të ditur se më vonë në stacionin policor është paraqitur një qytetar, i cili ka njoftuar se sendet e humbura ishin gjetur nga babai i tij.

“Rreth orës 18:00, në stacionin policor është paraqitur qytetari E.R., i cili ka raportuar se telefoni dhe portofoli ishin gjetur nga babai i tij. I njëjti e kishte udhëzuar djalin e tij që sendet e gjetura t’i dorëzonte në stacionin policor”, njofton Policia.

Pas verifikimeve të nevojshme, sendet e humbura i janë kthyer pronares.

“Pas verifikimeve të nevojshme, zyrtarët policorë kanë bërë kthimin e telefonit, portofolit dhe parave tek pronarja e tyre”, thuhet më tej në njoftim.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarin dhe familjen e tij për veprimin e tyre.

“Policia falënderon qytetarin E.R. dhe familjen e tij për veprimin e përgjegjshëm dhe shembullor, si dhe shpreh mirënjohje për besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të qytetarëve me Policinë, i cili kontribuon në rritjen e sigurisë dhe forcimin e besimit në komunitet”, theksohet në njoftim.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter