Maqedonia e Veriut gjatë vitit 2025 ka pësuar dëme prej rreth 50,1 milionë eurosh nga zjarret pyjore, tregojnë të dhënat nga Raporti për punën e Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare” për vitin 2025. Sipas dokumentit, gjatë vitit janë regjistruar 178 zjarre pyjore, ku janë përfshirë nga flakët 17.631,71 hektarë pyje dhe toka pyjore, ndërsa janë djegur 282.931 metra kub masë drusore, përcjell PressOnline.al.
“Gjatë vitit 2025 janë evidentuar 178 zjarre, me një sipërfaqe të përgjithshme të djegur prej 17.631,71 hektarësh dhe me 282.931 metra kub masë drusore të shkatërruar, duke shkaktuar dëme në vlerë prej 3.081.839.089 denarësh. Shpenzimet totale për shuarjen e zjarreve arrijnë në 10.355.810 denarë”, thuhet në raportin e NP “Pyjet Kombëtare”.
Mesatarisht, dëmi i raportuar arrin në rreth 2.840 euro për hektar të djegur, gjë që tregon se zjarret nuk përbëjnë vetëm një katastrofë ekologjike, por edhe një goditje serioze ekonomike ndaj një prej burimeve më të rëndësishme natyrore të vendit.
Më të prekura kanë qenë pyjet gjetherënëse, ku janë përfshirë nga zjarri 8.588 hektarë, me dëme të vlerësuara në rreth 34,1 milionë euro. Te pyjet e përziera, dëmet kanë arritur në rreth 15,5 milionë euro, ndërsa te pyjet halore ato janë vlerësuar në rreth 520 mijë euro.

Në shuarjen e zjarreve gjatë vitit kanë marrë pjesë 6.328 persona, prej të cilëve 1.748 kanë qenë të punësuar në NP “Pyjet Kombëtare”, ndërsa 4.580 të tjerë kanë qenë pjesëtarë të institucioneve dhe shërbimeve të tjera.

Të dhënat e raportit tregojnë se gjatë dy viteve, 2024 dhe 2025, zjarret pyjore kanë shkaktuar dëme të përgjithshme prej rreth 133,2 milionë eurosh. Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 428 zjarre, ndërsa flakët kanë përfshirë pothuajse 79.000 hektarë pyje dhe toka pyjore.
Gjatë verës së vitit 2025, Maqedonia e Veriut u përball sërish me një valë serioze zjarresh pyjore. Për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta, thatësirës dhe erërave të forta, zjarret shpërthyen në shumë pjesë të vendit, ndërsa disa prej tyre iu afruan zonave të banuara dhe objekteve infrastrukturore. Një nga zonat më të goditura ishte mali Goten, në trekëndëshin kufitar mes komunave të Vasilevës, Radovishit dhe Berovës, ku zjarri përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjore dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme.
Qeveria shpalli gjendje krize në të gjithë territorin e shtetit për shkak të numrit të shtuar të zjarreve, ndërsa në operacionet për shuarjen e tyre u angazhuan burime dhe kapacitete vendore dhe ndërkombëtare. (PressOnline.al)



