TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha priti pranë misionit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në Bruksel, Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, përfaqësues të venE madhee anëtare dhe të institucioneve kryesore të BE, në një ceremoni falënderimi, në përfundim të Konferencës së tetë Ndërqeveritare dhe rezultateve pozitive të arritura nga Shqipëria me miratimin e raportit IBAR.
Gjatë takimit, Komisionerja Kos theksoi se arritje të tilla si të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit, janë rezultat i shumë viteve pune të palodhur.
Sipas Kos, asnjë vend tjetër kandidat nuk ka bërë kaq shumë në këtë proces, me kaq vendosmëri dhe me kaq shumë mbështetje nga qytetarët e vet.
“Dhe pikërisht këtu dua të vlerësoj punën tuaj, Ferit. Arritje të tilla nuk realizohen brenda një muaji apo një viti. Ato janë rezultat i shumë viteve pune të palodhur. Sigurisht, jo gjithçka është përfunduar ende, por ky nuk është qëllimi. Qëllimi i procesit të anëtarësimit është që, kur të arrini në fund të tij, të jeni plotësisht të përgatitur”, vuri në dukje Kos në bisedë me kryediplomatin shqiptar.
“Prandaj, kur dikush dyshon se Shqipëria është vërtet ndër vendet me performancën më të mirë, përgjigjja ime është e thjeshtë: më tregoni një vend tjetër që ka bërë kaq shumë, me kaq vendosmëri dhe me kaq mbështetje nga qytetarët e vet. Asnjë vend tjetër kandidat nuk e ka bërë këtë. Prandaj, ju lutem, vazhdoni në këtë rrugë”, deklaroi Kos.
Në ceremoni, ministri Hoxha deklaroi se Konferenca Ndërqeveritare ishte një moment i vërtetë historik për Shqipërinë dhe se me miratimin e IBAR, tashmë kemi konfirmimin se puna që po bëhet në Shqipëri është serioze, e besueshme dhe efektive.
Hoxha falënderoi Komisioneren Kos dhe çdo koleg në shërbimet e Komisionit Evropian që kanë kontribuar në këtë proces thelbësor për Shqipërinë.



