Me një reagim publik në rrjetet sociale, Mevlan Ademi ka theksuar se çdo tentativë për të ofruar një zgjidhje të pjesshme ose kompromis rreth Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është e papranueshme informon Tetovasot.
Ai vlerëson se gjuha shqipe nuk mund të trajtohet si favor apo temë negociatash, pasi bëhet fjalë për një të drejtë të garantuar me Kushtetutë dhe me ligj.
“Çdo tentativë për të ofruar një zgjidhje të pjesshme, një ‘semi-zgjidhje’ apo një rrugë anash Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është e papranueshme. Gjuha shqipe nuk është çështje negociate. Nuk është favor. Nuk është kompromis. Është e drejtë kushtetuese dhe ligjore”, shkruan Ademi.
Ai shton se nuk ka nevojë për interpretime të reja apo procese shtesë që vetëm vonojnë zbatimin e asaj që tashmë është e garantuar me ligj.
Sipas Ademit, zgjidhja tashmë ekziston dhe institucionet duhet të fokusohen vetëm në zbatimin e plotë të ligjit. “Zgjidhja nuk duhet shpikur. Ajo ekziston. Zbatoni ligjin. Pikë”, përfundon ai.



