Një person ka humbur jetën në Holandë pasi ra nga një balonë ajrore gjatë një fluturimi mbi zonën e Zundertit, në jug të vendit.
Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, kur viktima ra në oborrin e një banese dhe humbi jetën në vend.
Kryetarja e bashkisë së Zundertit konfirmoi incidentin përmes një njoftimi publik, duke shprehur ngushëllime për familjarët e viktimës, si dhe për pilotin dhe pasagjerët e tjerë të balonës.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa hetimet janë në vijim.
Pas incidentit tragjik, bashkia ka organizuar seanca mbështetëse me psikologë për banorët e zonës, të cilët u tronditën nga ngjarja.




