Të paktën 219 persona janë plagosur dhe 780 të tjerë janë arrestuar pas përleshjeve mes tifozëve të futbollit dhe policisë në Francë, pas fitores së Paris Saint-Germain (PSG) në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, deklaroi se tetë persona ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa 57 efektivë policie u plagosën gjatë incidenteve. Sipas tij, më shumë se 450 persona vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Trazirat shpërthyen në disa qytete të Francës, veçanërisht në Paris, ku mijëra tifozë dolën në rrugë për të festuar triumfin e PSG-së. Përleshjet shkaktuan ndërprerje në shërbimet e autobusëve, trenave dhe hekurudhave në kryeqytetin francez.
Autoritetet raportuan gjithashtu se një person humbi jetën në një aksident në rrugën unazore të Parisit, të cilën protestuesit tentuan ta bllokonin gjatë natës.
Përballë situatës së tensionuar, qeveria franceze ka mobilizuar rreth 6,000 policë për të garantuar sigurinë gjatë paradës së fitores së PSG-së, e cila do të zhvillohet pranë Kullës Eiffel.
Ministri Nunez theksoi se forcat e sigurisë do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo akti dhune, duke nënvizuar se Franca garanton lirinë e tubimit, por nuk do të tolerojë tejkalimin e kufijve të rendit publik.
“Ne jemi një vend i shkëlqyer për ruajtjen e rendit publik. Ne lejojmë lirinë e tubimit, por jo teprimet”, deklaroi ai.




