Shkëndija e Haraçinës ka shkruar historinë e klubit, duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, pasi mposhti Pelisterin pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 6-5, ndërsa ndeshja në kohën e rregullt dhe atë shtesë përfundoi 1-1, informon PressOnline.al
Skuadra nga Manastiri, pavarësisht buxhetit më të madh dhe përparësisë në letër, nuk arriti ta ruajë statusin elitar dhe sezonin e ardhshëm do të garojë në një rang më të ulët.
Takimi nisi me presionin e Pelisterit, i cili kërkonte të thyente mbrojtjen e fortë të Shkëndijës së Haraçinës. Megjithatë, skuadra kuqezi ishte pranë golit para përfundimit të pjesës së parë, kur goditi shtyllën.
Në fillim të pjesës së dytë erdhi edhe momenti i madh për Shkëndijën. Pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga Zani Nazifi, ky i fundit realizoi për 0-1, duke mposhtur portierin Jovçevski dhe duke shkaktuar festë të madhe te tifozët.
Në minutën e 64-të, pikërisht Nazifi shkaktoi penallti ndaj Petar Petkovskit. Gjyqtari Igor Stoçevski tregoi pikën e bardhë, ndërsa përgjegjësinë e mori kapiteni Mirko Ivanovski. Megjithatë, portieri Antonio Stolevski priti goditjen e tij, ndërsa në tentativën e dytë Ivanovski e dërgoi topin mbi portë, informon PressOnline.al
Kur dukej se gjithçka po shkonte drejt triumfit të Shkëndijës, në minutën e 98-të Petar Petkovski barazoi rezultatin në 1-1 me një goditje me kokë, pas asistimit të Stefan Spirovskit, duke e dërguar ndeshjen në penallti.
Në serinë e penalltive u treguan më të saktë futbollistët e Shkëndijës së Haraçinës. Heroi i mbrëmjes ishte portieri Antonio Stolevski, i cili priti disa goditje vendimtare të lojtarëve të Pelisterit. Pas një serie dramatike, Enis Dervishi realizoi penalltinë vendimtare për rezultatin përfundimtar 6-5, duke vulosur një sukses historik për klubin.
Me këtë fitore, Shkëndija e Haraçinës siguron pjesëmarrjen në elitën e futbollit maqedonas, ndërsa Pelisteri bie në kategorinë e dytë pas një sezoni zhgënjyes.(PressOnline.al)




