Rreth 94 mijë tifozë morën pjesë në koncertin e grupit amerikan të rokut “Metallica” dje në Stadiumin Olimpik të Berlinit duke vendosur një rekord të ri për këtë arenë ikonike.
Grupi njoftoi se bëhet fjalë për numrin më të madh të spektatorëve të regjistruar ndonjëherë në stadiumin e njohur të Berlinit, i cili gjatë ndeshjeve të futbollit ka një kapacitet të zakonshëm prej rreth 73 800 vendesh.
Organizatorët arritën të presin më shumë spektatorë falë vendosjes së skenës në qendër të stadiumit, çka lejoi përdorimin e të gjitha tribunave.
Skena ishte ndërtuar në formë unaze mes publikut, duke u mundësuar fansave me biletat më të mira të afroheshin pranë muzikantëve dhe madje t’u jepnin dorën.
Katër anëtarët e Metallica-s dolën në skenë pak pas orës 20:00 dhe performuan për rreth dy orë hitet e tyre, përfshirë këngë nga albumi i tyre më i fundit, “72 Seasons,” si dhe klasiket e njohura “Nothing Else Matters” dhe “Enter Sandman”.
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Sonne”, si homazh për grupin gjerman të metalit “Rammstein”, me mijëra spektatorë që kënduan së bashku.
Koncerti në Berlin shënoi fundin e pjesës gjermane të turneut botëror” M72 World Tour”, i cili ka më shumë se tre vjet që vazhdon.
Më parë, “Metallica” kishte zhvilluar koncerte në Hamburg gjatë viteve 2023 dhe 2024, si dhe dy shfaqje në Frankfurt.




