Berisha shpall “Ripërtëritjen”, të shtunën mblidhet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike

featured
Press Online
30 Maj 2026, 03:25

Partia Demokratike mbledh të shtunën organin më të lartë, Kuvendin Kombëtar, kuvend i cili do të skicojë rrugën ku do të ecë PD në këtë mandat të 4 në opozitë e strategjinë që do ta çojë Partinë Demokratike drejt fitores në zgjedhjet lokale që mbahen pas një viti e ato parlamentare që do të mbahen në vitin 2029.

Slogani i Kuvendit është “Ripërtëritje” dhe kryetari i PD Sali Berisha ka premtuar hapjen e modernizimin e partisë si dhe  përfshirjen e figurave të reja në të gjitha strukturat drejtuese.

Kuvendi nis punimet në orën 10.00 dhe hapjen e tij do ta bëjë  Erisa Bajaziti, një prej shqiptareve që jeton në Bruksel dhe kandidoi për PD në zgjedhjet parlamentare si përfaqësuese e diasporës.

Më pas do të flaës kryetari i Partisë Demokratike  Sali Berisha.  Berisha një javë më parë mori votëbesimin e demokratëve për t’i udhëhequr deri në vitin 2030 e të shtunën në Kuvend pritet që lideri historik i demokratëve tu shpjegojë mbështetësve të tij si do të fitojë përballë PS e si do të kthejë demokratët në pushtet.

Pas fjalës së kryetarit të PD, delegatët do të votojnë ndryshimet në statut; ku më kryesoret janë përfshirja e diasporës me kuota të caktuara në çdo strukturë të PD dhe rritja e përfaqësimit të grave në forumet drejtuese.

Kuvendi i së shtunës është Kuvend Zgjedhor dhe delegatët do të zgjedhin 200 anëtarët e Këshillit Kombëtar.  Ky këshill do të zgjedhë javën e ardhshme kryesinë e PD, sekretarin e Pergjithshëm, nënkryetarët e të gjithë funksionarët e tjerë. E mbetet për tu parë nëse Sali Berisha do të vendosë që betejën përballë Edi Ramës në 4 vitet e ardhshme ta bëjë më të njëjtin ekip apo do të zgjedhë emra të rinj në strukturat drejtuese.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter