Një 70-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në rrugën Viti–Ramnishtë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani per Portalin Dukagjini, ka deklaruar se aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 08:30, ndërmjet dy veturave në këtë segment rrugor.
“Sot, më 28.05.2026, rreth orës 08:30, në rrugën Viti – Ramnishtë, ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet dy veturave. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Trafikut Rajonal, ndërsa sipas hetimeve të para, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë banorë të Komunës së Vitisë”, ka thënë Hashani.
Ai ka shtuar se njëri nga të lënduarit, rreth 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Vitisë, fillimisht është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. I lënduari është transportuar në Spitalin Rajonal në Gjilan, ku më pas ka ndërruar jetë”, ka bërë të ditur Hashani.
Ndërkaq, drejtuesit tjetër të automjetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.




