Kenneth Iwamasa, ish-asistenti personal i Matthew Perry, është dënuar me më shumë se tre vite burg për përfshirjen e tij në rastin tragjik të vdekjes së aktorit të famshëm të serialit “Friends”.
Perry humbi jetën në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare, pasi u mbyt në xhakuzi në shtëpinë e tij në Los Angeles si pasojë e efekteve të ketaminës.
Sipas prokurorëve, në ditët para vdekjes së aktorit, Iwamasa i kishte administruar më shumë se 25 injeksione me ketaminë, ndërsa vetëm ditën e tragjedisë dyshohet se i dha të paktën tre injeksione të tjera.
Raportohet se kërkesa e fundit e Perry-t para dozës fatale ishte:
Ma jep një dozë të madhe.
Iwamasa, 60 vjeç, ishte personi i parë nga pesë të akuzuarit që arriti marrëveshje për pranimin e fajësisë me autoritetet në gusht të vitit 2024.
Gjykata e dënoi atë me 41 muaj burg, ndërsa pas lirimit ai do të qëndrojë për dy vite nën mbikëqyrje.
Përveç dënimit me burg, ai u urdhërua gjithashtu të paguajë gjoba prej 10 mijë dhe 100 dollarësh.
Sipas vendimit të gjykatës, Iwamasa duhet të paraqitet pranë autoriteteve deri më 17 korrik për të nisur vuajtjen e dënimit.
Gjatë seancës gjyqësore në Los Angeles, përballë familjarëve dhe miqve të Perry-t, ish-asistenti shpërtheu në pendesë dhe kërkoi falje publike.
Më vjen shumë keq për të gjithë ju. Jam tmerrësisht i penduar për veprimet e mia dhe do ta mbaj këtë pendim me vete gjithë jetën
-deklaroi ai në sallën e gjyqit.
Ai shtoi gjithashtu se shpreson që historia e tij të shërbejë si paralajmërim për të tjerët që të mos bëjnë të njëjtat gabime.




