Kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Zef Morina, ka folur për arsyet e përfshirjes së tij në këtë subjekt politik dhe për prioritetet e tij në fushën e infrastrukturës.
Ai në emisionin FIVE tha se, edhe pse e konsideron veten të djathtë në orientim politik, partitë në Kosovë sipas tij kanë programe të përziera dhe jo plotësisht të definuara.
Morina theksoi se vendimi për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje është marrë për shkak të përputhjeve në çështje të rëndësishme si interesi kombëtar, raportet me faktorin ndërkombëtar dhe zhvillimi ekonomik.
“Ne vendosëm pikërisht sepse me zotin Kurti kemi gjetur pika që na konvergjojnë, sidomos në interesin kombëtar, në raportet me faktorin ndërkombëtar dhe në zhvillimin e brendshëm ekonomik”, u shpreh ai.
Ai shtoi se si parti e vogël nuk kanë pasur mundësi të japin ndikim të plotë politik dhe se përmes LVV-së synojnë të kenë rol më të madh në vendimmarrje.
Duke folur për infrastrukturën, Morina tha se disa projekte rrugore kanë hasur vështirësi të trashëguara ndër vite, veçanërisht në çështjet e shpronësimeve dhe studimeve gjeologjike.
Ai përmendi si autostradat dhe projektet në Gjilan, Gjakovë dhe drejt Tetovës, duke theksuar se disa prej tyre kanë nevojë për ndërhyrje inxhinierike dhe planifikim më të mirë.
Sipas tij, projektet aktuale janë në fazë përgatitore dhe pritet të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa disa të tjera pritet të nisin vitin e ardhshëm, përfshirë autostradën Dukagjini Istog–Gjakovë.
https://www.youtube.com/watch?v=0UQDh1cGjH0




