Margrethe II e Danimarkës është shtruar në spital pas një rrëzimi që i ka shkaktuar dëmtime në zonën e kofshës. Lajmi është konfirmuar nga pallati mbretëror danez përmes një njoftimi zyrtar. Sipas autoriteteve mbretërore, ish-mbretëresha 86-vjeçare ka pësuar një hematomë të madhe, ndërsa kontrollet mjekësore kanë evidentuar një grumbullim të konsiderueshëm gjaku në kofshë.
Për shkak të gjendjes së saj, Margrethe do të qëndrojë për disa ditë nën kujdesin e mjekëve në spitalin Rigshospitalet në Kopenhagë. Megjithatë, pallati bëri të ditur se ajo ndodhet në gjendje të mirë dhe po e përballon situatën me qetësi. Ish-mbretëresha, e cila abdikoi nga froni dy vite më parë duke ia kaluar kurorën djalit të saj Frederik, vazhdon të jetë një nga figurat më të respektuara në Danimarkë.
Kjo nuk është hera e parë që Margrethe përballet me probleme shëndetësore. Vetëm pak javë më parë ajo iu nënshtrua një procedure angioplastike dhe qëndroi e shtruar në spital për disa ditë. Në vitet e fundit, gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gradualisht, ndërsa operacioni në shtyllën kurrizore në vitin 2023 besohet se ndikoi edhe në vendimin e saj për t’u larguar nga froni, pavarësisht deklaratave të mëparshme se nuk kishte ndërmend të abdikonte.




