Rama fajëson MPB-në për bllokimin e projektit për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës

featured
Press Online
24 Maj 2026, 11:01

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Administratës Publike e kanë bllokuar projektin për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Derisa e ka quajtur si një nga projektet kryesore për lehtësimin e ngarkesës në sistemin shëndetësor, ai ka thënë se është përcaktuar lokacioni dhe buxheti, ndërsa janë duke u zhvilluar edhe bisedime me investitorë dhe institucione financiare ndërkombëtare.

“Na, e dini që për Spitalin e Prishtinës veç e kemi caktu lokacionin, edhe e kemi caktu buxhetin. Tash në konferencën për investitorë po ashtu kemi edhe interes prej sektorit privat për me na ndihmu për me e zhvillu këtë projekt. Tash e patëm takimin këtu edhe me institucionet qendrore edhe ndërkombëtare, financiare, që janë të interesum për me i financu këto procese. Kështu që jemi në proces edhe ju lajmërojmë edhe për hapat e mëtejshëm”, u shpreh Rama.

Sipas tij, ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e ngarkesës në QKUK, duke u ofruar qytetarëve të Prishtinës një institucion të dedikuar shëndetësor.

“Shumë, normal. Vetëm Prishtina, që i vyn Spitali i Kryeqytetit, nuk e ka spitalin e vet. Pra në QKUK, aty kemi qytetarë edhe prej pjesëve të tjera të Kosovës që marrin shërbime, kështu që Prishtinës i duhet Spitali i Kryeqytetit. Të cilin faktikisht edhe i kemi pas fondet prej Katarit tash dy vjet gati, po që projektin na e kanë blloku Ministria e Punëve të Brendshme sepse ata e kanë pasë edhe Ministrinë e Administratës përpara. Mirëpo tash po them, ne po i shtyjmë proceset edhe në bashkëpunim me sektorin privat”, tha ai.

Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës ka qenë ndër premtimet kryesore të kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama.

Projekti, sipas planit të Komunës, mund të kushtojë 90 milionë euro, me lokacion në zonën e njohur si Prishtina e Re./EO

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter