Miley Cyrus u nderua me yllin e saj në “Hollywood Walk of Fame” gjatë një ceremonie emocionale të mbajtur në Los Angeles, ku artistja nuk arriti t’i mbante lotët gjatë fjalimit të saj.

Sipas raportimeve të People, Miley e përjetoi thellësisht këtë moment të rëndësishëm në karrierë, duke falënderuar publikisht familjen dhe njerëzit më të afërt për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.
Të falënderoj familjen time, familjen time të ardhshme, prindërit, mamin, vëllezërit e motrat, miqtë, bashkëpunëtorët… faleminderit që më doni dhe më mbështesni jo vetëm në zgjedhjet që bëj, por edhe në frikërat e mia, dhe që i përballoni bashkë me mua
-u shpreh ajo mes emocionesh.

Në ceremoni ishin të pranishëm nëna e saj Tish Cyrus, motra Brandi Cyrus dhe i fejuari i saj Maxx Morando.
Mes të ftuarve VIP ishin edhe Donatella Versace dhe Anya Taylor-Joy, të cilat e vlerësuan artistën me fjalë të ngrohta gjatë eventit.
Në artikull u vu re edhe mungesa e babait të saj, Billy Ray Cyrus, i cili nuk mori pjesë në ceremoni.

Gjatë fjalimit, Miley foli për domethënien që ka për të ky nderim në një nga bulevardet më ikonike të Hollywood-it.
Ky yll, disi, përfaqëson pavdekësinë… dhe megjithëse më pëlqen vargu, fakti që nuk do të jetoj përgjithmonë është ajo që krijon urgjencën dhe e ndez zemrën time
-tha këngëtarja.
Ajo theksoi gjithashtu se ky sukses nuk është diçka që fitohet brenda natës, por rezultat i viteve të tëra përkushtim dhe pune.
Ajo që e bën të veçantë për mua është se ky yll është një grumbullim përkushtimi. Nuk është diçka që e fiton si një lojë sezonale… nuk është diçka që e ndjek apo e mbledh… nuk është diçka që e bën ‘albumin tjetër’ për ta marrë
-u shpreh ajo.
Një nga momentet më prekëse ishte kur Miley kujtoi vizitat e saj të para në Los Angeles si fëmijë, kur vinte nga Nashville bashkë me familjen.
Kur erdha për herë të parë në LA si një vajzë e vogël nga Nashville, familja ime qëndronte në një hotel në Hollywood Blvd, dhe unë bëja shëtitje natën vonë me babin tim, kur askush nuk e njihte… kishim dyqanet e suvenireve vetëm për vete dhe blinim ‘Oscarë’ të rremë dhe produkte me Marilyn Monroe. Tani, të jem e ‘cementuar’ në këtë bulevard legjendar… më duket si një ëndërr
-rrëfeu ajo.
Në fund të ceremonisë, Miley Cyrus tha se ky moment do të mbetet përgjithmonë një nga kujtimet më të rëndësishme të jetës së saj, ndërsa vendosi syzet e diellit për të fshehur lotët pas fjalimit emocional.



