Në Itali janë të bindur tashmë, me 99.9% Mancini rikthehet në krye të Kombëtares “Azzurre”

featured
Press Online
22 Maj 2026, 20:19

Drejtori i gazetës së njohur italiane Corriere dello Sport, Ivan Zazzaroni, ka lëshuar një deklaratë të bujshme lidhur me të ardhmen e stolit të Italisë.

Gjatë një prononcimi për Radio Kiss Kiss, Zazzaroni u shpreh me bindje se Roberto Mancini është kandidati kryesor për t’u rikthyer në krye të kombëtares “Azzurre”. Në profilin e tij në Instagram, gazetari i njohur shkroi: “Sot, kandidati kryesor për stolin e kombëtares është ai që përqafoi Viallin në vitin 2021 pas triumfit evropian dhe që me Azzurrit arriti 37 ndeshje radhazi pa humbje.”

Ky përshkrim i referohet qartësisht Mancinit. Zazzaroni shtoi se tekniku italian “bëri një gabim të pafalshëm në gusht të vitit 2023, por tashmë e ka kuptuar atë dhe është gati t’ia nisë nga e para.”

Situata pas zgjedhjeve në FIGC

Italia pritet të emërojë trajnerin e ri pas zgjedhjeve presidenciale të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), të cilat do të mbahen më 22 qershor 2026. Ndërkohë që gazeta Gazzetta dello Sport raporton se “ëndrra e madhe” e federatës mbetet Pep Guardiola dhe Antonio Conte konsiderohet ende si një nga favoritët, Mancini po fiton gjithmonë e më shumë terren. Sipas Corriere dello Sport, ish-trajneri është aq i vendosur për t’u rikthyer në Coverciano, saqë do të ishte i gatshëm të pranonte edhe një pagë të ulët, prej rreth 2 milionë eurosh në vit.

Kujtojmë që Roberto Mancini udhëhoqi Italinë drejt shpalljes kampion Europe në vitin 2021, por dështoi të kualifikohej në Botërorin e vitit pasardhës. Ai dha dorëheqjen papritur në gusht të vitit 2023 për të marrë drejtimin e kombëtares së Arabisë Saudite, një aventurë kjo që zgjati pak më shumë se një vit.

 

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter