Sekuestrohen rreth 8 kg ari dhe argjend në Prizren, vlera mbi 460 mijë euro

featured
Press Online
21 Maj 2026, 11:09

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në koordinim me Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe në bashkëpunim me Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, është zhvilluar aksion hetimor ndaj disa bizneseve për shitjen e arit në Prizren, të dyshuara për shmangie të detyrimeve tatimore dhe doganore.

“Sipas veprimeve hetimore që kanë nisur nga data 19.09.2025, me urdhër të prokurorit të çështjes, më 20.05.2026 janë realizuar kontrolle në gjashtë lokale afariste në qytetin e Prizrenit, si dhe në tri shtëpi banimi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas autoriteteve, gjatë kontrolleve janë siguruar dëshmi materiale dhe është gjetur sasi e konsiderueshme e arit dhe argjendit të padeklaruar.

“Është iniciuar rast ndaj katër personave për veprat penale ‘Shmangia nga tatimi’ dhe ‘Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore’”, njofton Prokuroria.

Nga aksioni janë sekuestruar 3.775 gram ari i padeklaruar, me vlerë të përafërt prej rreth 455 mijë euro, si dhe 4.204 gram argjend i padeklaruar, me vlerë rreth 8 mijë e 900 euro.

Po ashtu, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy armë pa leje.

“Është iniciuar rast edhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet tutje në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e evazionit fiskal, shmangies nga tatimi dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit ekonomik, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter