Rama del në sheshin “Xhorxh Bush”, thotë se do t’i vazhdojë punimet

featured
Press Online
19 Maj 2026, 20:50

Miratimi i projektit ideor për punimet e infrastrukturës nëntokësore për menaxhimin e ujërave të ujësjellësit dhe kanalizimit në “Xhorxh Bush”, e sollën sot në këtë shesh kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Ani se vendimi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nuk është leje për Komunën për vazhdim edhe të projektit në tërësi, kështu nuk mendon i pari i Prishtinës.

Për Dukagjini, Rama tha se s’do të ndalet në zhvillimin e projekteve për kryeqytetin.

“Nuk ka pas asnjë bazë ligjore që t’i bllokojnë punimet në sheshin “Xhorxh Bush” edhe lutem që institucionet të reflektojnë dhe të bashkëpunojnë me kryeqytetin që t’i shtyjnë këto punime përpara sepse ka vonim se pshtim jo, do t’i bëjmë se s’ka që na ndalë sepse janë për të mirën e qytetarëve të kryeqytetit”, deklaroi Rama.

Sipas vendimit të IKMM-së, “obligohet Komuna e Prishtinës, për funksionalizimin e kësaj hapësire për qarkullim publik të parashtroj projekt-planin me dizajn dhe materializime adekuate për shtrimin e dyshemesë urbane – rrugës”.

Këtu përfshihet projekti mbi 18 milionë i Komunës, punimet e të cilit ndaluan vitin e kaluar për shkak se është brenda zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës.

Rama beson se sheshi do të jetë gati në fund të 2026-s.

“Nuk ka asnjë arsye këtu me u blloku, ne po vazhdojmë me të gjitha pjesët tjera do të vazhdojmë edhe me këtë pjesë do të vazhdojmë me të gjitha pjesët sepse nuk kanë asnjë bazë ligjore me na pengu, ju lutem edhe një herë të jenë bashkëpunues”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, televizioni për këto ka pyetur edhe Ministrinë e Kulturës, në kuadër të së cilës funksionon Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

https://www.youtube.com/watch?v=bBR0rk41vAA

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter