Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka folur për themelimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.
I ftuar në “FIVE” në Dukagjin, Kastrati u shpreh se kjo forcë është shumë e nevojshme për Republikën e Kosovës dhe se personalisht moti kohë e kishte kërkuar. Megjithatë, ish-komandanti thotë se ky vendim nuk duhet të merret në kohë fushate.
“Kemi diskutuar edhe më herët se Kosovës i duhet një forcë e ngjashme me xhandarmërinë dhe nuk do të thotë që me patjetër të quhet xhandarmëri. Por, jo më pak e trajnuar dhe e pajisur sesa Njësia Speciale “ROSU” sepse ne jemi ballafaquar me probleme tash e disa herë që forcat serbe kanë hyrë në territorin tonë dhe kanë kidnapuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e kemi parë që ata policë nuk kanë qenë të përgatitur e as të pajisur me armatim e pajisje adekuate e as trajnime adekuate. Për këtë shumë më herët kam propozuar që Kosova duhet të filloj të mendoj në këtë drejtim – por fatkeqësisht jo në këtë kohë. Jo në kohë fushate”, u shpreh Kastrati.
Kastrati thotë se misioni i kësaj force do të ishte parandalimi i kalimeve ilegale, luftimi i terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimi i sigurisë për qytetarët që jetojnë në zonat kufitare. Ai theksoi se kjo forcë do të duhej të ishte e pajisur me armatim dhe pajisje më të sofistikuara sesa ato që posedon aktualisht Policia e Kosovës.
“Misioni i kësaj force do të ishte që të parandalojë të gjitha kalimet qoftë kalimet ilegale, qoftë kalimet e terroristeve si në rastin e Banjskës, qoftë krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore e edhe sigurinë e qytetarëve që jetojnë në brezin kufitar. Kjo forcë do të duhej të ishte forcë policore e cilat do të duhej të jetë e pajisur me armatime dhe pajisje më të rënda e më të sofistikuara sikur i ka Policia e Kosovës”, tha Kastrati.
Megjithatë, ish-komandanti i FSK-së kritikoi sërish kohën e marrjes së këtij vendimi, duke thënë se tema po përdoret për fushatë politike. Sipas tij, themelimi i një force të tillë kërkon analizë të detajuar, studime profesionale dhe planifikim afatgjatë për numrin e pjesëtarëve, pajisjet, trajnimet dhe koston financiare.
“Kjo (xhandarmëria) nuk bëhet me një vendim, fillimisht për me riorganizuar Policinë e Kosovës sic e ka bërë Forca e Sigurisë së Kosovës 2011-2013 ku kemi bërë studimin bashkë me një grup amerikan se çfarë i duhet Kosovës në fushën e mbrojtjes e njësoj do të duhej të bëhej edhe në këtë rast se çfarë force kufitare do t’i duhej Kosovës, me çfarë pajisje e armatimi, kostoja, e numri i pjesëtarëve e kjo do kohë e analizë e pastaj ministri të dalë e të tregojë. E jo në kohën e fushatës me një vendim e nënshkrim – e kemi parë edhe para 5 viteve kur kryeministri tashmë në detyrë ka ardhur me premtimin e fuqishëm se do ta kthejë e do ta bëjë shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe në studio të juaj e kam thënë se është pamundur të arrihet”.
Ai krahasoi situatën me premtimet e mëhershme për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke thënë se edhe ky vendim mund të mbetet vetëm premtim elektoral.
“Edhe ky vendim i sotëm do të jetë për një kohë të caktuar e do të stopohet përgjithmonë tani po thonë atë që qytetarët duan të dëgjojnë – një polici e ushtri të fuqishme. Mirëpo, menjëherë pas zgjedhjeve po harrojnë se çfarë kanë premtuar e për këtë arsye mendoj se ky vendim do të duhej të merrej shumë më herët por jo në kohën e fushatës”, u shpreh Kastrati.
https://www.youtube.com/watch?v=iWvA4N5yKds



