Një mjeke private ka ngritur alarmin mbi disa prej ushqimeve më të zakonshme të mëngjesit, duke thënë se shumë prej tyre që ne i konsiderojmë “të shëndetshme” mund të mos jenë aq të mira për organizmin sa mendohet.
Dr Asiya Maula shpjegon se zakoni për t’u mbështetur çdo ditë te granola, smoothiet apo jogurtet “low-fat” mund të ketë ndikim negativ në nivelin e sheqerit në gjak, inflamacionin dhe metabolizmin, faktorë që lidhen drejtpërdrejt me plakjen e trupit.

Sipas saj, problemi nuk është vetëm te etiketat “healthy” apo “low fat”, por te mënyra se si trupi reagon realisht ndaj këtyre ushqimeve në përditshmëri.
Ajo thekson se shumë produkte të tilla janë më të përpunuara dhe më të pasura me sheqer sesa mendohet.
Një nga shembujt kryesorë është granola dhe drithërat e “shëndetshme”, të cilat shpesh përmbajnë sasi të larta sheqeri, mjaltë apo fruta të thata. Edhe pse duken si zgjedhje ideale për mëngjes, ato mund të shkaktojnë rritje të shpejtë të sheqerit në gjak dhe më pas rënie energjie gjatë ditës.

Po ashtu, ajo paralajmëron edhe për lëngjet e frutave dhe smoothiet, të cilat, sipas saj, humbasin fibrat natyrale të frutit dhe kthehen në burim të përqendruar sheqeri që përthithet shumë shpejt nga organizmi.
Kjo mund të çojë në uri më të shpejtë dhe konsum më të madh kalorish pa u ndjerë ngopje.
Një tjetër kategori e diskutuar janë jogurtet “low-fat”, të cilat shpesh kompensohen me shtim sheqeri ose përbërës të tjerë për të ruajtur shijen. Sipas mjekes, heqja e yndyrës mund të ulë ndjesinë e ngopjes dhe të ndikojë në balancën metabolike.
Në vend të tyre, ajo rekomandon ushqime më të thjeshta si tërshëra, vezët, jogurti natyral dhe frutat e plota, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e energjisë së qëndrueshme dhe ndjesisë së ngopjes për më gjatë.
Mesazhi i saj kryesor është i qartë, jjo çdo ushqim i etiketuar “i shëndetshëm” është realisht i tillë, dhe ajo që ka më shumë rëndësi është mënyra si trupi e përpunon atë në përditshmëri.



