Ziadin Sela: Në përkrahje të Gjuhës Shqipe, dil dhe protesto krah studentëve

featured
Press Online
18 Maj 2026, 10:22

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka bërë thirrje publike për mbështetje të protestës në mbrojtje të Gjuhës Shqipe, duke u bërë apel qytetarëve që të dalin krah studentëve.

Në reagimin e tij, Sela thekson se çështja e gjuhës shqipe nuk mund të konsiderohet e mbyllur përderisa ajo nuk trajtohet në mënyrë të plotë dhe të barabartë në kuadër të rendit kushtetues dhe institucional.

Sipas Selës, gjuha shqipe është gjuha në të cilën shqiptarët mendojnë, shprehen, ëndërrojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre. Ai shton se ajo është gjuha e nënës, babait, gjyshes, gjyshit, vajzës, djalit dhe studentëve, prandaj mbrojtja e saj është detyrë e përhershme.

Në vazhdim reagimi i plotë i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela:

"Më rastis shpesh, gjatë debateve politike, por edhe në biseda të zakonshme mes miqsh - shqiptarë të dëgjoj një tezë të imponuar, kuptohet edhe të rrezikshme?!
Thonë, deri kur do të merremi me gjuhën shqipe?
Ju përgjigjem:
- Deri kur gjuhës që flitet në këtë tokë më se 8000 vite, asaj tonës, ti thuhet Gjuhë Shqipe me kushtetutë.
- Deri kur Gjuha Shqipe të jetë tërësisht e barabartë me gjuhën e ardhur më vonë në këtë tokë.
- Edhe pasi të jetë e barabartë do të merremi, sepse është e jona, është në habitatin e vet në shtëpinë e saj.
- Edhe më pastaj, sepse mendojmë, shprehemi, ëndërrojmë dhe ndërtojmë ardhmërinë tonë në gjuhën tonë.
- Edhe më tutje, sepse është e nënës dhe e babait, e gjyshes dhe e gjyshit, e vajzës e djalit, është e studentëve.
- Edhe për përhera, sepse je ti, je gjuha që flet, është fjala e parë që duhet të flasish në shqip para një të panjohuri apo i huaj qoftë, të të njoh kush je e ç`identitet ke.
- Sepse kur e humb nuk je më, nuk ekziston, je asimiluar...

Sot është 18 maji, dita kur një brez i ri merr përsipër kauzën në mbrojtje të Gjuhës Shqipe. Jo për ta tregtuar, jo për ta shkëmbyer me pushtet si dje dhe si sot! Jo per ta shpallur te mbyllur diçka që jeton dhe do të jetojë bashk me ne. Por për ti dhënë shpirt, për ta mbajtur të pastër dhe të pastër ta dorëzoj te brezi i ri nesër.

Në përkrahje të #Gjuhës #Shqipe, dil dhe #protesto krah #studentëve".

Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter