Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e gjashtë në listën e venE madhee më të varfëra në Evropë, sipas “WorldAtlas”, bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Bruto Prodhimin Vendor për kokë banori, sipas paritetit të fuqisë blerëse, përcjell PressOnline.al.
Sipas raportit, vendi më i varfër në Evropë është Molldavia, ndërsa në vendin e dytë renditet Kosova.
Në pjesën kushtuar Maqedonisë së Veriut, raporti vlerëson se vendi ka pasur rritje stabile ekonomike, por të ulët, me mesatare prej rreth 2 për qind gjatë viteve të fundit. Po ashtu, theksohet se papunësia është ulur ndjeshëm, duke rënë nën 13 për qind në vitin 2024, nga mbi 30 për qind sa ishte në fillim të viteve 2010.
Ekonomia e vendit, sipas “WorldAtlas”, mbështetet kryesisht në sektorë si metalurgjia, tekstili, prodhimi i pjesëve automobilistike për zinxhirët evropianë të furnizimit, si dhe gjithnjë e më shumë në turizëm, veçanërisht në rajonin e Liqenit të Ohrit dhe në zonën e Shkupit.
“Rritja ekonomike është stabile, por modeste, me një mesatare prej rreth 2 për qind në vitet e fundit. Papunësia është ulur ndjeshëm, duke rënë nën 13 për qind në vitin 2024, pasi më parë ishte mbi 30 për qind në fillim të viteve 2010, por megjithatë mbetet një nga normat më të larta në Evropë”, thuhet në raport.
Sipas të dhënave të publikuara, Molldavia mbetet vendi më i varfër në Evropë me BPV për kokë banori sipas paritetit të fuqisë blerëse prej rreth 19.700 dollarësh. Pas saj renditet Kosova me rreth 20.400 dollarë, Ukraina me 21.000 dollarë, Bosnja dhe Hercegovina me 22.800 dollarë, ndërsa Maqedonia e Veriut me 24.300 dollarë.
Në listë pas Maqedonisë së Veriut renditen Bjellorusia me 25.500 dollarë, Shqipëria me 25.600 dollarë, Serbia me 28.500 dollarë, Mali i Zi me 31.000 dollarë dhe Bullgaria me 36.000 dollarë për kokë banori sipas paritetit të fuqisë blerëse. (PressOnline.al)



