U raportua i vdekur, piloti gjendet gjallë në xhunglën braziliane më shumë se 24 orë pas rrëzimit të aeroplanit

featured
Press Online
18 Maj 2026, 14:59

Një pilot 72-vjeçar është gjetur gjallë pas më shumë se një dite kërkimesh në veri të Brazil, pasi avioni i vogël që ai drejtonte u rrëzua në një zonë të dendur pyjore pranë qytetit Belém.

Sipas mediave lokale, piloti Altevir Edson fillimisht ishte raportuar i vdekur pas rrëzimit të avionit njëmotorësh. Dyshohet se aksidenti ndodhi pasi një shkabë goditi helikën e motorit, duke shkaktuar humbje të kontrollit dhe rënie të avionit.

Kur ekipet e shpëtimit gjetën mbetjet e avionit, piloti nuk ndodhej aty, çka çoi në nisjen e një operacioni të gjerë kërkimi në xhungël. Hetuesit besojnë se 72-vjeçari u përpoq të largohej nga vendi i aksidentit për të kërkuar ndihmë, por humbi orientimin në pyllin e dendur.

Pas më shumë se 24 orësh kërkime intensive, shpëtimtarët e lokalizuan atë mbi pesë kilometra larg nga rrënojat e avionit, me ndihmën e dronëve dhe qenve të trajnuar posaçërisht.

Pamjet nga operacioni tregojnë ekipet e shpëtimit duke kaluar nëpër ujëra që arrinin deri në qafë për të mbërritur te piloti dhe për ta transportuar në një zonë të sigurt.

Sipas një prej shpëtimtarëve, Altevir Edson ishte i çorientuar, me plagë dhe gërvishtje në disa pjesë të trupit, si dhe kishte vështirësi në lëvizje. Pas ndihmës së parë në vendngjarje, ai u dërgua në spital për trajtim të mëtejshëm.

Pranë mbetjeve të avionit, autoritetet gjetën sende personale të pilotit, përfshirë syze, rroba dhe orë dore, ndërsa dritarja e avionit ishte e thyer dhe kishte njolla gjaku.

Shkaqet e plota të aksidentit po hetohen nga forcat ajrore të Brazil.

/vizionplus.tv

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter