Modeli rumun dhe estonez për antikorrupsionin maqedonas

featured
Press Online
18 Maj 2026, 12:50

“Fronti për të Vërtetën dhe Drejtësinë”, i përbërë nga parti opozitare, organizata qytetare e joqeveritare, intelektualë, aktivistë dhe të rinj – të gjithë të bashkuar rreth vlerave për një Maqedoni Evropiane. Kështu e paralajmëroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, duke theksuar se programi i Frontit do të fokusohet në katër shtylla: tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe drejtësi evropiane; e ardhme për të rinjtë; standard më i mirë jetese dhe jetë dinjitoze për të gjithë; si dhe fshat dhe bujq të fuqishëm, shkruan DW, transmeton PressOnline.al.

Filipçe njoftoi se “para zgjedhjeve (kurdo që të mbahen ato) do të publikohen të gjitha detajet e programit”, ndërsa dje (17.05) u ndal te shtylla kryesore mbi të cilën bazohet ajo – ligji për tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe transparencë të plotë digjitale.

“Ky është ligji i parë që unë si kryeministër pas zgjedhjeve do ta nënshkruaj në interes të të gjithë qytetarëve dhe të ardhmes së vendit”, deklaroi Filipçe.

Në kuadër të këtij ligji, ai paralajmëroi krijimin e një institucioni të ri të pavarur për luftën kundër korrupsionit të lartë.

“Themelimi i Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion (DNA) sipas modelit rumun. Një institucion i ri plotësisht i pavarur, me pavarësi të plotë financiare dhe kadrovike, me kompetenca për të gjithë – nga kryeministri deri te kryetari i komunës dhe funksionari më i ulët lokal. Drejtori do të zgjidhet me shumicë prej dy të tretash në Kuvend, në mënyrë që asnjë parti politike të mos mund të ndikojë apo ta kontrollojë”, theksoi Filipçe.

Tingëllon e njohur

Fjalët “e vërteta”, “drejtësia” dhe “fronti” rikthyen kujtimet për “Të vërtetën për Maqedoninë” (titulli nën të cilin publikoheshin bombat audio para dhjetë vitesh), si dhe protestat me sloganin “S’ka drejtësi, s’ka paqe”, të njohura më vonë si Revolucioni Laraman. Por ato rikthyen edhe kritikat se vendi tashmë kishte pasur një institucion të krijuar sipas modelit të DNA-së rumune.

Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion e Rumanisë (DNA), në periudhën kur u bë inspirim për Prokurorinë Speciale Publike (PSP), drejtohej me sukses nga prokurorja Laura Koveshi, sot kryeprokurore evropiane, mandati i së cilës përfundon në tetor të këtij viti. Që nga fillimi i punës në vitin 2003 e deri në anëtarësimin e Rumanisë në BE në vitin 2007, DNA realizoi mbi 43 mijë hetime dhe hapi procedura kundër më shumë se 12.300 personave, duke akuzuar 23 ministra të mëparshëm dhe aktualë, ndërsa ish-kryeministri Adrian Nastase përfundoi në burg.

Laura Koveshi, e lindur më 1973, ishte 40 vjeç kur në vitin 2013 u zgjodh në krye të DNA-së. Nga viti 2013 deri më 2018, ajo hapi hetime kundër 14 ministrave aktualë dhe ish-ministrave rumunë, 43 deputetëve dhe mbi 260 funksionarëve lokalë.

Ka dallim

PSP-ja maqedonase, e formuar sipas modelit të DNA-së, solli pritje të mëdha se më në fund do të prishej zinxhiri i pandëshkueshmërisë. Nuk ishte rastësi që protestat për drejtësi fillonin ose përfundonin para zyrave të PSP-së. Koveshi vizitoi PSP-në në vitin 2016 dhe u takua me Katica Janevën, duke i thënë: “Mos u dorëzo! Kurrë mos u dorëzo! Bëje këtë për shtetin dhe qytetarët e tu, pavarësisht pengesave”.

Më vonë do të bëhej e qartë se Janeva nuk e kishte ndjekur këtë këshillë, edhe pse kishte në dispozicion të gjitha resurset. Ndërsa Prokuroria e rregullt nuk kishte as automjet për të udhëtuar në Mal të Zi dhe Shqipëri për të siguruar incizimet e kalimeve kufitare pas arratisjes së Gruevskit, prokurorët e PSP-së kishin financa, bonuse, shtesa, ekip kadrovik, kompjuterë e telefona të rinj, ambiente të reja, park automjetesh dhe mbështetje publike.

Të gjitha shpresat ishin vendosur te PSP-ja dhe pritej që aty të lindte “Laura Koveshi maqedonase”.

Deri në mbylljen e saj më 30 qershor 2020, PSP ngriti 22 aktakuza, nga të cilat vetëm pesë morën epilog, ndërsa të tjerat kaluan në Prokurorinë e rregullt. Por “fundi” i PSP-së u parapri nga një kolaps moral në vitin 2019, kur shefja e saj Katica Janeva u akuzua dhe më pas u dënua për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke diskredituar të gjithë punën e PSP-së dhe duke vrarë shpresën se diçka mund të ndryshonte.

Ndryshe nga Janeva, e cila përfundoi në burg më shpejt se ata që duhej t’i ndiqte penalisht, Koveshi u bë prokurorja e parë e Prokurorisë Publike Evropiane, e ngarkuar për hetimin dhe ndjekjen e krimeve kundër interesave financiare të BE-së – korrupsion, pastrim parash dhe mashtrime ndërkufitare.

Modeli estonez

Premtimet e ish-kryeministrit Zoran Zaev se pas proceseve gjyqësore “numëratori do të kthehet”, se milionat e vjedhura do të rikthehen dhe se të rinjtë do të ndalojnë emigrimin, nuk u realizuan.

Si pjesë e Ligjit për tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe transparencë digjitale, Filipçe tani paralajmëron motivim për sinjalizuesit e korrupsionit.

“Qytetari apo punonjësi që denoncon korrupsion do të marrë 5 deri në 15 për qind të parave të rikthyera, plus mbrojtje të plotë të identitetit dhe vendit të punës. Do të ketë kanal anonim online dhe modeli bazohet në Estoni dhe SHBA. Me regjistrin publik të listave të zeza, çdo i dënuar për korrupsion do të ndalohet përherë të mbajë funksion publik ose të marrë pjesë në tenderë shtetërorë. Do të pasojnë dënime të rrepta dhe konfiskim pasurie”, deklaroi Filipçe.

Ai paralajmëroi edhe digjitalizim të plotë të furnizimeve publike, tenderëve dhe shërbimeve sipas modelit estonez, me transparencë të plotë dhe pa kontakt të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe institucioneve.

“Të gjithë tenderët, lejet, subvencionet dhe pagesat do të realizohen vetëm përmes një platforme kombëtare digjitale online, e bazuar në teknologjinë blockchain. Qytetari ose kompania do të paraqesë kërkesën me një klikim dhe do të ndjekë procesin në kohë reale. Nuk do të ketë kontakt fizik me zyrtarët. Modeli është estonez – 99 për qind e shërbimeve janë online dhe falë këtij modeli Estonia është një nga vendet më pak të korruptuara në Evropë. Financimi do të bëhet përmes fonE madhee IPA dhe granteve të Bashkimit Evropian”, tha Filipçe.

“Nëse është vërtet i shqetësuar…”

“Nëse është vërtet i shqetësuar, Filipçe le të fillojë nga vetja dhe t’i ftojë Zaevin dhe të tjerët t’i kthejnë paratë e vjedhura dhe të përgjigjen para drejtësisë”, reaguan nga VMRO-DPMNE ndaj deklaratave të kreut të LSDM-së.

Ata e ftuan Filipçen që të jetë shembull për të tjerët.

“Le të jetë i pari që do ta bëjë këtë, që të hetohet e gjithë përfshirja e tij në furnizimet për spitalet modulare (…) Le t’i thërrasë njerëzit e dëmshëm në Prokurori si Islam Abazi dhe Katerina Kollareviq që ta lirojnë institucionin nga mbrojtja që u bëjnë kriminelëve të LSDM-së dhe BDI-së pas ndalimit të procedurës për rastin ‘Mazut’, ku dëmi arrin 167 milionë euro (…) Le të kërkojë hetim të plotë për furnizimin me qymyr për REK Manastir nga kompania që i dhuroi Venko Filipçes një xhip luksoz Audi Q8 dhe për transaksionet milionëshe të dyshimta drejt kompanisë së Zaevit në Bullgari, ku në të njëjtën adresë kompani ka pasur edhe Filipçe. Kur të hetohen të gjitha këto raste, kur të ketë përgjegjësi (…) dhe kur paratë të kthehen në buxhet, atëherë do të ketë më shumë para për paga, pensione, bujq, kopshte, shkolla, spitale dhe për kuadrot e ndershme në gjyqësor dhe prokurori që do ta çojnë drejtësinë deri në fund”, deklaruan nga VMRO-DPMNE.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter