Ndeshja e sotme ndaj Pizës, ka qenë e veçantë për sulmuesin danez të Napolit, Rasmus Hojlund. Goli i tij vulosi suksesin 3-0 të napolitanëve që siguruan kësisoj pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Por paralelisht me këtë, kualifikimi i tyre në turne, aktivizoi klauzolën e transferimit përfundimtar nga Mançester Junajtid, nga i cili ai ishte huazuar me të drejtën e blerjes nga klubi italian. Këtë e ka konfirmuar vetë Hojlund me një postim në rrjetet sociale, duke e cilësuar veten plotësisht pjesë të klubit napolitan.
“Ky gol ka një domethënie simbolike, pasi përfshin dy gjëra. Tani jemi të kualifikuar në Lugën e Kampioneve me Napolin dhe kjo do të thotë se falë kontratës time, jam zyrtarisht një lojtar i Napolit. I them lamtumirë Mançester Junajtid. Është një ndjesi e çuditshme pasi në vitin e fundit jam ndjerë gjithsesi një lojtar i Napolit. Mënyra si me keni mbështetur, duke më bërë të ndjehem në shtëpi dhe duke më ndihmuar që të gjej përsëri besimin në vetvete, është diçka për të cilën do ju jem mirënjohës”, shkruante Hajlund në postimin e tij duke iu drejtuar tifozëve të Napolit.
LEXO EDHE: Antonio Conte jep sinjale lamtumire nga Napoli: Presidenti e di mendimin tim prej një muaji, i jam mirënjohës!



