Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, deklaroi se Tajvani nuk do të “sakrifikohet” dhe nuk do të bëhet objekt negociatash, duke theksuar se vendi nuk do të heqë dorë nga mënyra e tij demokratike dhe e lirë e jetesës nën presion.
Në një postim në Facebook, Lai tha se shitjet e armëve nga SHBA për Tajvanin janë pjesë e një angazhimi të përcaktuar me ligj nga Uashingtoni për sigurinë e ishullit.
Ky ishte reagimi i parë i drejtpërdrejtë i presidentit tajvanez pas samitit të zhvilluar javën e kaluar në Pekin mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.
Deklaratat e Trump pas takimit kanë shkaktuar shqetësim në Tajvan, pasi ai tha se ende po shqyrton miratimin e shitjeve të reja të armëve për ishullin dhe shtoi se SHBA nuk dëshiron që Tajvani të shpallë pavarësinë duke u mbështetur te përkrahja amerikane.
Lai u shpreh se qytetarët e Tajvanit janë të shqetësuar për përmbajtjen e bisedimeve Trump–Xi lidhur me të ardhmen e ishullit, por falënderoi SHBA për mbështetjen ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon. Ai theksoi se Tajvani nuk do të provokojë konflikt, por as nuk do të heqë dorë nga sovraniteti, dinjiteti kombëtar dhe sistemi demokratik.
“Tajvani nuk do të sakrifikohet dhe nuk do të jetë objekt negociatash në asnjë rrethanë,” deklaroi presidenti tajvanez.
Kina vazhdon ta konsiderojë Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta vënë ishullin nën kontrollin e Pekinit.
Ndërkohë, Tajvani e konsideron veten shtet sovran dhe demokratik.



