Një ish-imam në Londrën Lindore është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për një seri përdhunimesh dhe abuzimesh seksuale ndaj grave dhe vajzave, ku viktima më e vogël ishte vetëm 12 vjeçe.
54-vjeçari Abdul Halim Khan u përshkrua nga gjykata si një person “dinak” dhe “manipulues”, i cili shfrytëzoi pozitën dhe autoritetin e tij fetar për të abuzuar me shtatë viktima nga komuniteti mysliman në periudhën 2005–2014.
Në muajin shkurt, Khan u shpall fajtor për 21 akuza, përfshirë përdhunim, sulm seksual dhe krime seksuale ndaj të miturve. Sulmet ndodhën në apartamente dhe vende të izoluara ku ai i çonte viktimat, duke përdorur fenë dhe frikën si mjet kontrolli.
Gjatë dhënies së vendimit, gjyqtari Leslie Cuthbert deklaroi se Khan kishte “shtrembëruar me vetëdije fenë myslimane” dhe kishte abuzuar sistematikisht me pushtetin e tij për kënaqësi seksuale personale.
Sipas prokurorisë, ish-imami u thoshte viktimave se ishin të pushtuara nga shpirtra të këqij dhe se vetëm ai mund t’i “pastronte”. Në disa raste ai pretendonte se ishte i pushtuar vetë, ndërsa kërcënonte gratë dhe vajzat se familjet e tyre do të pësonin dëm apo “magji të zezë” nëse flisnin.
Një prej viktimave tregoi në gjykatë se Khan i kishte thënë se vuante nga kanceri në vezore dhe se vetëm ai mund ta shëronte, përpara se ta çonte në një zonë të izoluar dhe ta përdhunonte.
Viktimat e përshkruan ish-imamin si një njeri që fshihej “pas maskës së një udhëheqësi fetar të E madheotshëm dhe të besueshëm”, ndërsa njëra prej tyre deklaroi mes lotësh: “Për mua, Khan nuk është qenie njerëzore, por mishërimi i së keqes.”
Pavarësisht dënimit, gjykata mori edhe letra mbështetjeje për Khan nga familjarë dhe disa anëtarë të komunitetit.
Policia dhe prokuroria vlerësuan guximin e viktimave që denoncuan abuzimet pas shumë vitesh heshtjeje, ndërsa organizata për mbrojtjen e fëmijëve NSPCC e cilësoi rastin si “thellësisht tronditës”, duke theksuar se Khan përdori pozitën e tij fetare për të manipuluar dhe heshtur viktimat./vizionplus.tv



