Rama kritikon Kurtin për Lushtakun: Mbushja e Drenicës me policë nevojë e sëmurë për hakmarrje

featured
Press Online
15 Maj 2026, 20:22

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas intervistimit të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, lidhur me sulmin e djeshëm ndaj kryetarit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani.

Rama ka kritikuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se përdor institucionet dhe retorikën politike për të thelluar polarizimin shoqëror dhe për të ndarë qytetarët, njofton Dukagjini.

“Sot, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve, për të krijuar tensione artificiale dhe për të prodhuar një klimë konfrontimi politik. Kur një Kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët dhe për të thelluar polarizimin shoqëror, ai nuk po qeveris ai po MANIPULON. Ky është i njëjti kryeministër që ka REFUZUAR t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sepse ai është mbi ligjin. Ai është ligji”, ka shkruar Rama.

Mes tjerash, Rama ka kritikuar Kurti edhe për praninë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, duke e interpretuar si përpjekje për të projektuar autoritet dhe për të nxitur, siç u shpreh ai, logjikë hakmarrjeje politike.

Tutje, Rama thotë se përdorimi i gjuhës përçarëse dhe tensionimi i situatës në zona me ndjeshmëri historike si Drenica është i rrezikshëm për stabilitetin social dhe politik në Kosovë.

“Fakti që Drenica mbushet me forca policore tregon nevojën e tij të sëmurë për të projektuar autoritet dhe për të ushqyer një logjikë hakmarrjeje politike. Duke e ditur sakrificën dhe vuajtjen që ka përjetuar Drenica, ta provokosh këtë trevë dhe ta etiketosh Kryetarin e saj si “Serbia” është një akt i ulët. Ta vësh në rrezik paqen sociale dhe t’i shtysh qytetarët drejt përçarjes dhe konfliktit është ligësi. Ky tensionim i qëllimshëm dhe këto tentativa për destabilizim politik dhe shoqëror janë jashtëzakonisht të RREZIKSHME për popullin dhe shtetin e Kosovës. Drenica nuk e meriton këtë. Kosova nuk e meriton këtë” ka shkruar Rama.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter