Qytetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj mesazheve në të cilat pretendohet se kanë kryer kundërvajtje në komunikacion dhe se duhet menjëherë të paguajnë gjobë përmes një linku të dërguar. Mesazhe të tilla, në shumicën e rasteve, janë përpjekje për mashtrim, përkatësisht “phishing”, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale, të dhënave bankare ose nxitjen e qytetarëve që të bëjnë pagesë në një llogari të rreme.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një paraqitje televizive në Kanal 5, tha se mesazhet e rreme që po u arrijnë qytetarëve vijnë nga numra të huaj dhe se lehtë mund të identifikohet se nuk bëhet fjalë për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Të gjitha ato mesazhe të rreme vijnë nga numra të huaj dhe shumë lehtë mund të identifikohet se nuk është Ministria e Punëve të Brendshme, por dikush që në mënyrë joligjore përpiqet t’i mashtrojë qytetarët”, deklaroi Toshkovski, përcjell PressOnline.al.
Shenja kryesore që duhet të ngrejë alarm është nëse mesazhi vjen nga një numër i huaj, sidomos nëse kërkohet pagesë urgjente. Mesazhe të tilla shpesh përmbajnë formulime si “paguani menjëherë”, “keni gjobë të papaguar”, “afati i fundit për pagesë” ose “klikoni në link për të shmangur shpenzime shtesë”.
Të dyshimta janë edhe mesazhet që përmbajnë linke drejt faqeve të panjohura të internetit, veçanërisht nëse adresa nuk duket si faqe zyrtare e një institucioni shtetëror. Mashtruesit shpesh përdorin linke që në pamje të parë duken zyrtare, por përmbajnë shenja të çuditshme, fjalë të shkruara gabim ose domene të pazakonta.
Qytetarët duhet të kenë kujdes edhe ndaj mesazheve me gabime drejtshkrimore, fjali të palogjikshme, përkthim të dobët ose ton të pazakontë. Institucionet nuk komunikojnë me qytetarët përmes mesazheve të dyshimta nga numra të huaj dhe nuk kërkojnë futjen e të dhënave bankare përmes linkeve të paverifikuara.
Nëse merrni një mesazh të tillë, mos hapni linkun, mos futni të dhëna personale, numër amë, numër të letërnjoftimit, të dhëna të kartelës bankare apo kode që i pranoni përmes SMS-it. Po ashtu, mos kryeni pagesë nëse nuk jeni të sigurt se bëhet fjalë për procedurë zyrtare.
Në rast se qytetarët kanë dyshime nëse vërtet kanë një gjobë, kontrolli duhet të bëhet vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve kompetente. Nëse numri është i huaj ose i panjohur, mesazhi duhet të injorohet.
Toshkovski theksoi se qytetarët duhet t’i injorojnë mesazhet nga numra të huaj në të cilat kërkohet pagesë.
“Kur bëhet fjalë për numër të huaj që dërgon mesazh të tillë, ‘paguani këtu’ ose ‘paguani atje’, kjo duhet të injorohet, sepse bëhet fjalë për mashtrim”, shtoi Toshkovski.
Mesazhet “phishing” janë të dizajnuara për të krijuar ndjenjë urgjence dhe frike. Kur qytetari lexon se ka një gjobë ose një afat të shkurtër për pagesë, mashtruesit presin që ai të reagojë shpejt, pa verifikuar nëse informacioni është i saktë.
Qëllimi është që qytetari të klikojë në link të rremë, të fusë të dhëna personale ose bankare, ose të kryejë pagesë. Prandaj, mbrojtja më e mirë është kujdesi: çdo mesazh që kërkon pagesë urgjente përmes një linku të panjohur duhet të trajtohet si i dyshimtë.
Nga MPB theksojnë se në raste të tilla të sulmeve “phishing”, institucionet kanë detyrim t’i informojnë qytetarët në kohë. Rregulli kryesor mbetet i thjeshtë: nëse mesazhi vjen nga numër i huaj, përmban link të dyshimtë dhe kërkon pagesë urgjente, mos e hapni, mos paguani dhe mos futni të dhëna. (PressOnline.al)






