Borxhi publik në Maqedoninë e Veriut po i afrohet kufirit kritik prej 60 për qind të Bruto Produktit Vendor, duke ngritur shqetësime serioze në opinionin akademik dhe ekonomik për qëndrueshmërinë e financave publike në vitet e ardhshme.
Sipas të dhënave të fundit, në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, borxhi publik ka arritur në 10,747 miliardë euro, ose 59,7 për qind të BPV-së. Kjo e vendos vendin shumë pranë kufirit të përcaktuar me rregullat fiskale dhe kriteret e Mastrihtit, sipas të cilave borxhi publik nuk duhet të tejkalojë 60 për qind të BPV-së, informon PressOnline.al.
Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të detyrimeve të mëdha që shteti duhet t’i shlyejë në periudhën e ardhshme. Nga viti 2026 deri në vitin 2031, Maqedonia e Veriut duhet të servisojë rreth 9 miliardë euro borxhe të vjetra dhe kamata, çka nënkupton se vendi do të ketë nevojë për huamarrje të reja për të mbuluar obligimet ekzistuese.
Alarm shtesë është edhe tentativa për të siguruar 300 milionë euro nga bankat komerciale të huaja, ndërsa përgjigjja e marrë ishte për 260 milionë euro. Kjo, sipas njohësve të ekonomisë, tregon se shteti po përballet me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të siguruar mjete financiare me kushte të favorshme.
Profesori universitar Zoran Ivanovski, në një prononcim për Sloboden Peçat vlerëson se rritja e nivelit të borxhit do të sjellë vështirësi më të mëdha në sigurimin e mjeteve nga kreditorët ndërkombëtarë. Sipas tij, është e domosdoshme të respektohet strategjia fiskale dhe Ligji për buxhete, me qëllim që të shmanget vendimmarrja subjektive dhe të ruhet besueshmëria ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare.
Shqetësime të ngjashme ka shprehur edhe kryetari i Këshillit Fiskal, Abdulmenaf Bexheti, i cili ka paralajmëruar se shteti tashmë e ka shpenzuar hapësirën fiskale. Ai thekson se pas krizës së Covid-19 dhe krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, vendi ka arritur kufirin maksimal të borxhit publik. Sipas tij, situata është edhe më e rëndë nëse merret parasysh edhe i ashtuquajturi “borxh i padukshëm”, përkatësisht obligimet e papaguara që arrijnë mbi 3 për qind të BPV-së.
Bexheti gjithashtu ka paralajmëruar se vetëm për kamata të borxhit publik këtë vit do të paguhen mbi 350 milionë euro, ndërsa në vitet e ardhshme pritet trend edhe më i lartë i rritjes së këtyre shpenzimeve.
Nga opozita, ish-zëvendëskryeministri për çështje ekonomike dhe deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, vlerëson se rebalanci i buxhetit bëhet për shkak të problemeve serioze me likuiditetin. Ai nuk e përjashton mundësinë që Qeveria të kërkojë huamarrje të reja, ndërsa ka theksuar se sipas njohurive të tij ekzistojnë bisedime për marrëveshje të reja bilaterale për kredi, të ngjashme me atë me Hungarinë.
Bytyqi ka deklaruar se për dy vite borxhi publik është rritur për 2,5 miliardë euro, ndërsa qytetarët, sipas tij, ende nuk kanë pasqyrë të qartë se si po shfrytëzohen mjetet nga kredia hungareze. Ai ka përkujtuar se 250 milionë euro ishin paraparë për komunat, por deri më tani janë paguar vetëm 47 milionë euro.
Nga ana tjetër, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, pranon se menaxhimi i borxhit publik kërkon kujdes të madh, veçanërisht kur niveli i tij ka arritur afër kufirit psikologjik prej 60 për qind të BPV-së. Megjithatë, ajo thekson se në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2024, borxhi si përqindje e BPV-së ka shënuar ulje, duke shtuar se mjetet buxhetore kanë kontribuar në rritjen ekonomike.
Ministrja ka theksuar se Qeveria përballet me sfidën e servisimit të detyrimeve të vjetra që janë krijuar në të kaluarën dhe që tani po arrijnë për pagesë. Ajo përkujtoi se vitin e kaluar është shlyer eurobondi prej 500 milionë eurosh, ndërsa këtë vit duhet të shlyhet eurobondi prej 700 milionë eurosh, gjysma e të cilit tashmë është servisuar, ndërsa pjesa tjetër pritet të paguhet gjatë qershorit 2026.
Sipas Buxhetit për vitin 2026, shteti këtë vit planifikon të marrë hua rreth 1,9 miliardë euro për të shlyer borxhet e vjetra dhe për të mbuluar deficitin buxhetor. Vetëm deficiti buxhetor arrin në afro 634 milionë euro, ndërsa gjatë vitit për pagesë arrijnë 1,2 miliardë euro borxhe, prej të cilave 892,6 milionë euro janë borxhe të jashtme dhe 323,6 milionë euro detyrime të brendshme.
Për shlyerjen e këtyre detyrimeve është paraparë huamarrje prej 1,3 miliardë eurosh nga jashtë dhe 560 milionë euro nga tregu i brendshëm.
Në këto rrethana, borxhi publik po bëhet një nga çështjet më të ndjeshme ekonomike në vend. Ekspertët paralajmërojnë se pa disiplinë më të madhe fiskale, kontroll më të rreptë të shpenzimeve dhe transparencë më të madhe për përdorimin e parave të huazuara, Maqedonia e Veriut mund të përballet me kushte më të vështira financimi dhe presion më të madh mbi buxhetin në vitet e ardhshme. (PressOnline.al)


