VMRO-DPMNE: Qëndrimet dhe kërkesat e Filipçes nuk dallojnë nga ato bullgare, nuk i pengon as fyerja “veriomaqedonas”

featured
Press Online
14 Maj 2026, 09:22

VMRO-DPMNE përmes një komunikate deklaroi se qëndrimet e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, nuk dallojnë nga pozicionet e Bullgarisë zyrtare në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe eurointegrimet.

Nga partia e akuzuan Filipçen se është, siç thonë ata, “pion i Radevit” dhe “lobisti kryesor për pranimin pa kushte të ultimatumit bullgar”.

Në komunikatën partiake thuhet se LSDM dhe autoritetet bullgare kanë kërkesa të njëjta në lidhje me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, si dhe se Filipçe nuk ka reaguar ndaj përdorimit të termit “maqedonasit e veriut”.

VMRO-DPMNE në reagimin e saj thekson gjithashtu se Filipçe është mbështetësi më i zëshëm i ndryshimeve kushtetuese pa, siç thonë ata, garanci për rrjedhën e mëtejshme të procesit eurointegrues.

Partia kërkoi që lideri i LSDM-së të përgjigjet publikisht, siç theksojnë ata, “me çfarë është shantazhuar nga politikanët bullgarë që të udhëheqë një politikë të tillë”.

Si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së VMRO-DPMNE-së, LSDM përmes një komunikate vlerësoi se politikat e pushtetit aktual janë në kundërshtim me idealet e revolucionarit maqedonas Goce Dellçev. Nga partia theksuan se Dellçevi është angazhuar për liri, drejtësi dhe bashkim, e jo për ndarje, konflikte, kriminalitet dhe izolim, duke akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se po ndjek politikë përplasjesh me fqinjët dhe po e bllokon rrugën evropiane të shtetit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter